DASH “fut në listën e zezë” tre zyrtarë të rinj nga Ballkani, mes tyre edhe ish-kryeprokurorja e Maqedonisë së Veriut

18/03/2024 20:26

Ish-kryeprokurorja e Posaçme me Maqedonisë së Veriut Katica Janeva, u shpall non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit për përfshirje në korrupsion.

Së bashku me të, DASH vendosi sanksione edhe ndaj kryetarit aktual të Komunës së Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski dhe ish kryetarit të komunës së Kaçanikut në Kosovë, Xhabir Zharku.

Veprimet e tyre sipas DASH gjatë kohës që ushtronin funksione zyrtare, dëmtuan sundimin e ligjit dhe besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse. Ish-kryeprokurorja Katica Janeva u përfshi në akte korruptive, duke shfrytëzuar ndikimin e saj politik dhe pushtetin zyrtar me qëllim përfitimin personal.

DASH thotë se për këtë çështje disponon informacione të besueshme. Në qershor të vitit 2020 ish kryeprokurorja e Posaçme e Maqedonisë së Veriut Katica Janeva u dënua me 7 vjet heqje lirie për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë kryekomunari i Karposhit Stevço Jakimovski ka siguruar përfitime për vete dhe për bashkëpunëtorët e tij përmes tenderave të zhvillimit urban si dhe proceseve të prokurimeve të ndryshme. Veprime këto që sipas DASH janë kryer dhe nga ish-kryetari I komunës së Kaçanikut në Kosovë, Xhabir Zharku, i cili më herët u hetua pasi në vitin 2008-ën dyshohet se lejoi ndërtime pa leje.

Akuzë kjo që u pushua në vitin 2023. Ndërsa vitin 2011 ai u dënua me tre vite burg për armëmbajtje pa leje. Sanksionet, thuhet në njoftim, dëshmojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin. Tre të sanksionuare si dhe familjarëve të tyre u ndalohet automatikisht hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel