DINAMIKA/ Futi foshnjën e porsalindur në qese plehrash dhe e hodhi në lumë, pas aktit të rëndë nëna shkoi në spital! Si e mësoi policia ngjarjen

18/03/2024 22:23

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Krujë këtë të hënë, ku një nënë 42-vjeçare hodhi në bregun e lumit të Tapizës foshnjën e saj të sapolindur.

Burimet e gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat thonë se pasi lindi foshnjën në banesë dhe e hodhi në lumë, 42-vjeçarja Leta Koçi shkoi në spital të merrte ndihmën e nevojshme mjekësore dhe aty ka treguar për ngjarjen.

Pas rrëfimit të saj, policia u informua për rastin e rëndë dhe shkoi në vendngjarje, ku gjeti trupin e foshnjës në qesen e plehrave.

Sipas burimeve, bashkëshorti në dëshmi ka thënë se nuk e dinte se ajo ishte shtatzënë. Mësohet se gruaja është nënë e një vajze 22-vjeçare.

“E gjithë familja thonë se nuk e dinin që ishte shtatzënë, as vetë gruaja dhe as burri, ka hyrë në tualet dhe ka lindur, nuk e ka vrarë fëmijën, ka lindur i gjallë, por mund të ketë vdekur aty ose më pas, nuk dihet ende”, thotë një burim nga grupi hetimor që po merret me çështjen.

Nuk dihet ende gjendja emocionale dhe mendore e gruas banuese në Tapizë dhe nëse ajo vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Sipas policisë, 42-vjeçarja është ndaluar, ndërsa vijojnë hetimet se çarë mund ta ketë shtyrë gruan të ndërmerrte aktin e rëndë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaluan shtetasen Leta Koçi 42 vjeçe, banuese në Tapizë, për veprën penale “Vrasja e foshnjes”.

Kjo shtetase, ditën e sotme, rreth orëve të mëngjesit, dyshohet se pasi ka lindur foshnjen në ambientet e banesës së saj, duke pretenduar se ka lindur e vdekur, e ka futur në një qese dhe më pas e ka hedhur në bregun e lumit të Tapizës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas njoftimit zyrtar të policisë.

Top Channel