Rusia në një deklaratë sot, u shpreh se Ukraina po i vazhdon sulmet raketa ndaj rajonit të saj, Belgorod, derisa Kievi tha se Moska i sulmoi shtatë rajone ukrainase me 27 dronë të llojit “Shahed” dhe me tetë raketa mëngjesin e së premtes.
“Të gjithë 27 dronët u rrëzuan mbi rajonet Kirovohard, Mikolaiv, Herson, Hmelnitski, Vinitsia dhe Kiev”, tha ushtria ukrainase në një komunikatë.
Nuk u raportua për viktima apo dëme. Ushtria ukrainase nuk tregoi nëse i ka rrëzuar edhe raketat ruse. Ajo tha gjithashtu se forcat ukrainase u angazhuan në 76 beteja nga afërsia në 24 orët e fundit në zonat e rajonit lindor Donjeck, Novopavlivka, Avdivka dhe Liman.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina e sulmoi rajonin e saj kufitar, Belgorod, përsëri të premten, duke i hedhur mbi të shtatë raketa “Vampir”, të cilat u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes raketore ruse.
Ajo nuk tregoi nëse ka pasur viktima apo dëme nga këto sulme. Kanali Baza në Telegram e postoi një video ku shihet një veturë duke u djegur në një rrugë në kryeqytetin rajonal, Belgorod, i cili është duke u sulmuar nga Ukraina në tri ditët e fundit.
Aleksei Kulemzin, kryetari i emëruar nga Moska në qytetin e okupuar nga Rusia, Donjeck, tha në Telegram se tre fëmijë u vranë nga bombardimet ukrainase të premten. Pretendimet e tij nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. /REL
Top Channel