Disa të vrarë, dhjetra të plagosur kur forcat izraelite qëllojnë ndaj palestinezëve që prisnin për ndihma në veri të Gazës (fotot)

12/03/2024 17:43

Disa palestinezë janë vrarë sot dhe dhjetra janë plagosur kur Izraeli goditi me artileri ndaj palestinezëve që prisnin për ndihma humanitare në veri të Gazës.

Salameh Maarouf, zëdhënës i qeverisë vendase në Gaza tha se forcat izraelite qëlluan ndaj palestinezëve që prisnin për ndihmë në ‘rrethrrotullimin e Kuvajtit’, shkruan agjencia turke Anadolu.

Pak më herët agjencia vendase Wafa tha se nëntë njerëz ishin vrarë kur ushtria hapi zjarr ndaj palestinezëve që prisnin kamionët  e ndihmës.

Mahmoud Basal, zëdhënës i njësive vendase të mbrojtjes konfirmonte për agjencinë Anadolu se ushtria kishte goditur njerëzit që prisnin kamionët e ndihmave në rrethrrotullimin Kuvajt.

Konflikti tragjik në Rripin e gazës ka nisur prej 7 tetorit kur militantë palestinezë sulmuan brenda territorit izraelit duke vrarë qindra njerëz.

Kundërpërgjigja e ushtrisë izraelite ka rrafshuar zona të tëra rezidenciale në Gaza me bombardime ajrore, duke vrarë më shumë se 30 000 njerëz, e duke lënë pjesën e mbetur gjallë në krizë urie e shëndetësie.

Izraeli mban gjithashtu Gazën të rrethuar e izoluar duke lejuar vetëm sasi minimale ndihmash të kalojnë.

85% e popullatës së Gazës është zhvendosur nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar bombardimeve teksa 60% e infrastrukturës civile të territorit është shkatërruar ose dëmtuar, sipas shifrave të OKB.

Izraeli është paditur për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por një vendin i mëhershëm i gjykatës vetëm urdhëroi Tel Aviv-in të ndalonte aktet e gjenocidit dhe të garantonte asistencën humanitare për civilët në Gaza./Anadolu//

FOTO GALERI
1/3
Salameh Maarouf, zëdhënës i qeverisë vendase në Gaza tha se forcat izraelite qëlluan ndaj palestinezëve që prisnin për ndihmë në ‘rrethrrotullimin e Kuvajtit’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA