Çështja “Robinho”, reagon presidenti i Brazilit: Krim i pafalshëm, meriton dënim shembullor

12/03/2024 16:58

Më 20 mars, Gjykata e Lartë e Drejtësisë do të vendosë nëse Robinho do ta vuajë në burgjet e Brazilit dënimin me 9 vite burg për përdhunimin e një vajzë të re shqiptare në Milano, kur luante me fanellën e Milanit.

Ky vendim ka marrë formë të prerë në të gjitha hallkat e gjyqësorit italian, por ish-sulmuesi ndodhet në Brazil, vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Italinë, për ta vuajtur dënimin aty ku kreu krimin e rëndë.

Mbetet të shihet nëse do të bëhet konvertimi i dënimit në atdhe për ish-futbollistin. Për këtë çështje ka mbajtur qëndrim edhe presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.

“Të gjithë ata që e kanë kryer krimin e përdhunimit duhet të arrestohen, të shkojnë në burg. Njerëzit duhet të mësojnë se marrëdhëniet seksuale nuk janë vetëm dëshirë e njërës palë.

Është turp që një njeri, që ka kryer këtë lloj krimi kolektivisht lëviz ende i lirë. Përdhunimi është një krim i pafalshëm, njerëzit duhet të gjykohen dhe dënohen për këtë. Robinho është dënuar tashmë në Itali, ndaj duhet ta vuajë dënimin këtu.

Tani do të gjykohet në Brazil dhe shpresoj të paguajë çmimin e papërgjegjshmërisë së të qenit një i ri, që kishte më shumë mundësi se 99% e të rinjve brazilianë. Ai bëri shumë para, kishte gjithçka, por ajo që bëri me atë vajzë në Milano meriton ndëshkim shembullor”.

Ngjarja daton në vitin 2013, kur Robinho vishte fanellën e Milanit. Më 20 mars, Gjykata e Lartë Braziliane e Drejtësisë (STJ) do të vendosë nëse vendimi do të jetë i zbatueshëm në Brazil apo jo./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA