Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës për armëmbajtje pa leje dhe drogë.
Gjatë operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, janë goditur dy raste të armëmbajtjes pa leje, nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe nga Komisariati i Policisë Nr. 7.
Forcat “Shqiponja” në rrugën “Frang Bardhi”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, policët i gjetën 39-vjeçarit një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në Marqinet kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin M. M., dhe pasagjer shtetasin A. E., 34 vjeç. Pasagjeri në momentin e ndalimit, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, por ka tentuar të largohej dhe gjatë tentativës për tu larguar ka hedhur në tokë, një armë zjarri pistoletë.
Dy armët e zjarrit me krëhra e municion luftarak, së bashku me lëndën e dyshuar narkotike kokainë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sipas policisë, në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. E., 34 vjeç, banues në Vorë, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel