Kjo e enjte sjell përballjet e para të raundit të të 1/8-ve në Europa League.
Roma-Brighton konsiderohet si një prej dueleve më të forta. Skuadra e Daniele De Rossit po kalon një formë të jashtëzakonshme dhe nën drejtimin e ish-kapitenit po tregon një tjetër fytyrë. Italianët kaluan Feyenoordin me shumë vështirësi një tur më parë. Tani gjejnë anglezët që drejtohen nga De Zerbi. “Pulëbardhat”, në katër ndeshjet e fundit në Europa League kanë marrë po kaq fitore. Madje pa pësuar gol.
Milani në anën tjetër, pasi kaloi Rennes pa shumë sforco, do të matë forcat me çekët e Slavia Prague. Kuqezinjtë shihen si favoritë, por përballë do të kenë një kundërshtar që vjen si i pari i grupit të tij. Në këtë edicion ka pësuar vetëm 3 humbje në të gjitha garat. Në “San Siro”, të besuarit e Piolit do synojnë t’i mbyllin llogaritë në mënyrë që të mos i lënë asgjë rastësisë pas një jave.
Liverpooli është mes pretendentëve për të fituar këtë kompeticion, por kjo javë do të jetë shumë e rëndësishme për të besuarit e Klopp. “The Reds” do të luajnë ndeshjen e parë në Çeki, me Spart[n e Prages ku aktivizohen Qazim Laçi dhe Indrit Tuci. Skuadra e dy kuqezinjve eliminoi gjigantët e Galatasaray në raundin e mëparshëm. Teksa synohet një tjetër mrekulli. Anglezët garojnë dhe për titullin në Premier League dhe në fundjavë do masin forcat me Manchester Cityn.
Bayer Levekusen do të ndeshet për të tretën herë këtë edicion me Qarabagun e Redon Xhixhës. Pas sfidave të grupit, “Aspirinat” e pamposhtura deri tani do të kërkojnë kualifikimin në çerekfinale. Shumë interesante edhe përballja gjermano-angleze: Freiburg-West Ham.
Ekipi londinez ka gjetur ritmin e duhur teksa vjen pas dy fitoresh rresht, ndërkohë që Freiburgu kaloi jo pa vështirësi Lensin (me shtesë). Mjaft të ekuilibruara duken Benfica-Rangers dhe Marseille-Villarreal. Ndeshjet e kthimit të këtij raundi do të luhen javën e ardhshme.
Top Channel