Veliaj për situatën në Kuvend: Opozita sjellje rrugaçërie. Detyra jonë të qeverisim me punë dhe mençuri, që vendi të ecë përpara

06/03/2024 18:42

Drejtuesi politik i PS për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, vijoi turin e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste në zonën e Kombinatit, nga ku komentoi si akte rrugaçërie sjelljen e opozitës në Kuvend.

“Kur shikoj pamjet në Parlament, si mund të ndezësh flakadanë në sallë?! Edhe në një ndeshje futbolli, ti distancohesh nga ata që shajnë. Duaje ekipin tënd, por s’ke nevojë ta shash tjetrin. Edhe në një ndeshje futbolli të vjen zor, se do gjobitesh në momentin që kryen një akt dhune, e jo më kur kjo dhunë shkon në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Nuk e mendoja se do vinte dita që do t’u thoshim fëmijëve: ‘Fike televizorin se ka Parlament”, tha Veliaj.

Ai u shprehu mirënjohjen të gjithë anëtarëve të hershëm të PS-së, të cilët kanë mundur të ecin përpara edhe në ditët më të vështira.

“Nuk ka nevojë të kthehemi tek ’91-shi, por falënderojmë ata që e mbajtën partinë tonë në ditët më të vështira, në ditët më të rrezikshme, në ditët ku dhuna ishte kryefjalë. Ne e kuptojmë se në demokraci, ne nuk do biem dakord, madje disa do shkojnë në akte dhune, por është detyra jonë të qeverisim me punë, me mençuri, me dashuri, me mirëkuptim, vetëm që vendi të ecë përpara”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se PS ka treguar se di të qeverisë dhe të bëjë shtet.

“Brenda një muaji erdhën në Shqipëri Sekretari i Shtetit Amerikan, Presidenti Zelenski, erdhën liderët e të gjithë rajonit dhe drejtuesit e BE-së, u hap baza e NATO-s – të gjitha këto kanë ndodhur vetëm në 1 muaj në Tiranë. Kaq mjafton! I dëgjoj ata që rrihem me 60% të votave që ankohen, më vjen çudi dhe them: “Vetëm na thoni një shkollë që keni bërë!”. “Mëk, mëk, mëk”, nuk thonë asgjë. Ne kemi ndërtuar 40 shkolla! Pse? Sepse besojmë që po të jenë fëmijët mirë, qyteti ka të ardhme”, deklaroi Veliaj.

Duke u ndalur të anëtarësimet e reja, Veliaj u shpreh se PS ka ditur gjithmonë të fitojë.

“Disa njerëz më kanë pyetur: ‘O Lali, po boll me këto anëtarët! Ju do i merrni të gjithë?’ U them: E di si është kjo punë? Asnjë betejë nuk e fiton dot po nuk ishe në ring. Më thoni: Çunat fitojnë dot nga shkallët e spektatorëve, në një ndeshje boksi? Po nuk zbrite në ring, të grushtosh vetë, të mbrohesh dhe të sulmosh, nuk quhet. Nga shkallët japin mend të gjithë. Por, kur dikush bëhet anëtar i PS, ka zbritur në fushë, ka zbritur në ring”, theksoi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA