Real Madrid vuan ndaj Leipzig, por kualifikohet në çerekfinalet e Champions League, City bën detyrën ndaj Copenhagen

06/03/2024 22:41

Manchester City triumfon me rezultatin e përgjithshëm 6-2 ndaj Copenhagen dhe kualifikohet në çerekefinalet e Champions League.

Ashtu si ndeshja e parë e luajtur në Danimarkë që u mbyll me fitoren 3-1 të anglezëve edhe takimi i dytë, i luajtur në “Etihad Stadium” përfundoi me rezultatin 3-1 për ekipin e Guardiolës.

Në “Etihad Stadium” pjesa e parë dhuroi një spektakël të vërtet, me katër gola.

Vendasit kaluan shumë shpejt në avantazh me anë të Akanji që përktheu në gol pasimin e Alvarez në minutën e 5’y

Katër minuta më pas, Man. City shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me anë të Alvarez.

2-0, por danezët nuk u dorëzuan dhe rihapën ndeshjen në minutën e 29′ me anë të Elyounoussit që u shërbye nga Oslarsson.

Goli i Copenhagen vendosi në lëvizje anglezët dhe në minutën 45+3’ shënuan sërish, këtë herë me Haaland.

Në ndryshim nga fraksioni hapës, pjesa e dytë nuk solli më gola përtej rasteve të shumta.

Ky takim u mbyll me triumfin 3-1 të Manchester City-t që kalon në çerekfinalet e Champions League, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 6-2 ndaj Copenhagen, me danezët që e mbyllin këtu rrugëtimin në këtë kompeticion.

Real Madrid vuan ndaj Leipzig, por kualifikohet në çerekfinalet e Champions League

 

Real Madrid vuan, por kualifikohet në çerekfinalet e UEFA Champions League.

Madrilenët nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Leipzig në ndeshjen e kthimit, teksa kualifikimi erdhi falë rezultatit të përgjithshëm 2-1.

Në “Santiago Bernabeu” pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, teksa Leipzig i shkoi pranë golit në mbyllje te fraksionit me Openda dhe Simons.

Pjesa e dytë ndryshoi totalisht “simfoninë” e ndeshjes, me skuadrat që krijuan më shumë volum dhe raste.

Leipzig ishte përsëri në kërkim të golit, teksa madrilenët përfituan nga hapësirat në mbrojtjen e gjermanëve dhe realizuan me anë te Vinicius Jr. në minutën e 65′, me braziliani që çoi në rrjetë një pasim fantastik të Bellingham.

Një gol që nuk ndikoi te Leipzig, që nuk u dorëzua dhe barazoi pas tre minutash me anë të kapitenit Orban.

Të besuarit e Rose kërcënuan rregullisht portën e Real Madrid, me portierin Lunin që ishte në lartësinë e duhur, ndërsa Olmo provoi sërish, por u ndal nga shtylla në fundin e kohës shtesë.

Në fund 1-1 dhe Real Madrid kualifikohet vetëm falë golit të Diaz në ndeshjen e parë, teksa Leipzig eliminohet pavarësisht dëshirës apo karakterit që tregoi.

Super Sport

Top Channel