U pikasën gjatë një tentative grabitje dhe qëlluan me armë për t’i shpëtuar Policisë, arrestohen dy persona në Tiranë! Një në kërkim

02/03/2024 13:40

Dy persona janë vënë në pranga nga Krimet e Rënda dhe një i tretë është shpallur në kërkim, pasi në momentin që u pikasën gjatë tentativës së grabitjes së një banese në Prush, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Policisë dhe më pas janë larguar.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se të ndaluarit janë gjithashtu autorë të dyshuar të një vjedhjes së një argjendarie në Kamëz, dhe të një vjedhje të mbetur në tentativë, në një biznes në rrugën Vorë-Tiranë.

Si rezultat i tij u ndaluan shtetasit:

– Klodjan Cypi, 37 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”,

– Kleotild Bardhi, 32 vjeç, banues në Laç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasit F. T., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se Cypi dhe shtetasi me inicialet F. T., më datë 09 dhjetor 2023 kanë tentuar të vjedhin në një banesë në fshatin Prush, dhe sapo kanë konstatuar shërbimet e Policisë, kanë hapur zjarr ndaj tyre, me armë, dhe janë larguar me një automjet tip “Audi”, në pronësi të Kleotild Bardhit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta të çmontuara, të gjetura në banesën e 32-vjeçarit, tre aparate celulare dhe tre karta sim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel