Çfarë nuk u pa në samitin për Ukrainën në Tiranë? Zv.ministri Kadia: Dënohet agresioni rus, kërkesat e Vuçiç…

28/02/2024 23:44

Zv.ministri i Jashtëm, Besart Kadia ka treguar detaje nga samiti i mbajtur të mërkurën në Tiranë në mbështetje të Ukrainës.

I ftuar në “Top Talk” me Juli Xhokaxhi, Kadia foli edhe për kërkesat e Vuçiç që nuk u përfshinë në deklaratën përfundimtare.

Çfarë do të thotë për marrëdhëniet tona mungesa e Greqisë?

“Shqipëria mbetet një qëndrim që Greqia është partner strategjik. Kanë qenë marrëdhënie të mira deri sa ndodhi çështja Beleri. është dicka që nuk na vjen mirë, por është pjesë e politikës së brendshme të Greqisë. Tirana sot është shndërruar në një qendër të rëndësishme gjeopolitike. Ne nuk po cedojmë dhe po anashkalojmë asnjë nga vlerat që kemi si popull. Shqipëria ka hyrë në një fazë të barabartë të pozicionit ndërkombëtar. Vuçiç erdhi me 3 kërkesa që mesa duket janë reflektuar, “jo sanksione Rusisë, jo ne 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të mos konsiderohet influencë malinje ndërhyrja e Rusisë”.

Ky njeri që është Presidenti i Serbisë guxon dhe vë kushte për të marrë pjesë në një samit…

“Deklarata e dënon agresionin rus dhe kërkon rikthimin territorial të Ukrainës. Ky është qëllimi i parë dhe i rëndësishëm i Samitit. Më pas nuk duhet të harrojmë që Ballkani dy vitet e fundit ka pasur trazirat e veta në veri të Kosovës me Serbinë. Serbia mbetet gjeografiksisht shumë pranë nesh, ka rëndësinë e vet. Akomodimi i qëndrimeve të gjithësecilit merret parasysh pa humbur vlerat që të gjitha palët synojnë. Serbia synon anëtarësimin në BE, Shqipëria mban gjithmonë atë rol në politikën e jashtme të mbështetur në vlera. Sa i përket pikave të Vuçiç janë pjesë e politikës së brendshme të tyre që nuk duhen anashkaluar për të mbajtur garancinë dhe sigurinë në Ballkan. Ky nuk është qëndrim i Shqipërisë. Nëse Zelenski është dakord, nuk mbetet për ta vlerësuar ne që është gabim”.

Pritshmëria ishte që Vjosa Osmani t’i kërkonte Zelenskit njohjen e pavarësisë së Kosovës, është kjo jorealiste?

“Kjo është një ndër çështjet delikate. është një politikë afatgjatë e Ukrainës që ndaj Kosovës nuk e njeh se mban një krah të caktuar politikisht apo është ajo që si do përkthehej në kosto për politikën e Ukrainës sa i përket vendeve që janë pushtuar nga Rusia apo përmes referendumeve të bëra. Sa i përket politikës së jashtme të Shqipërisë, ne vazhdojmë dhe mbështesim synimin që Ukraina ta njohë Kosovën. Ka modalitete si me Rumaninë dhe Greqinë që nuk kanë de facto ambasador, por kanë një qasje tjetër sa i përket marrëdhënieve me Kosovën. Ne synojmë që Ukraina të mos ndërpresë anëtarësimin për Kosovën, por edhe të jetë fleksibël sa i përket modaliteteve se si mund të ketë marrëdhënie mes dy shteteve”.

Top Channel