Presidenti amerikan Joe Biden shpreson në një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

I pyetur se kur mund të finalizohet ujdia që do të ndalte luftimet dhe do të mundësonte lirimin e personave që ende mbahen peng, ai u shpreh se kompromisi është afër.

“Shpresoj javën e ardhshme. Këshilltari im i sigurisë kombëtare më thotë se i janë afruar shumë. Janë pranë marrëveshjes, edhe pse bisedimet nuk kanë përfunduar ende. Shpresa ime është që deri të hënën që vjen të kemi një armëpushim”- tha Biden.

Negociatorët nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari po punojnë për kornizën e një marrëveshjeje sipas së cilës Hamasi do të lironte dhjetëra pengje që mban, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe ndalimin e luftimeve për gjashtë javë. Gjatë kësaj pauze të përkohshme, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura.

Propozimi për një pauzë gjashtëjavore në luftime do të mundësonte gjithashtu dërgimin e qindra kamionëve çdo ditë me ndihmat e domosdoshme për popullsinë e Gazës. Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me deklaratat e Bidenit.

Ramazani nis më 10 mars dhe shihet si një afat jozyrtar për një marrëveshje armëpushimi. Muaji i shenjtë për myslimanët shpesh shoqërohet me tensione të rritura mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Top Channel