Gjeniu i matematikës! Një shembull si Tedi Qamo, fituesi i Olimpiadave

26/02/2024 15:32

Programi mësimor për Tedi Qamon është lehtësisht i kapshëm e si gjimnazist ai nuk njeh notë tjetër veç dhjetës.

Gjeniu i matematikës fitoi vendin e parë në olimpiadën kombëtare që testonte njohuritë e nxënësve më të mirë.

“Është goxha i vështirë nëse në fazën e parë dhe të dytë edhe me njohuritë e shkollës i jep ushtrimeve zgjidhje, faza e tretë kërkon njohuri jashtë shkolle, duhen libra shtesë apo libra të huaja. Sekreti është që duhet punë e vazhdueshme, çdo ditë duhet t’i mprehësh nga pak aftësitë”, thotë Tedi Qamo.

Nxënësi i dhjetave nuk i ka arritjet vetëm në lëndët shkencore. 17-vjeçari  ngjan i uritur për sa më shumë dije dhe është pjesëmarrës edhe në olimpiadat shoqërore. Prirjen për matematikën e pranon që e ka  edhe dhunti, por përkushtimin e dashurinë për librat e ka mësuar në familje.

“Unë kam një përzierje të çuditshëm sepse më pëlqejnë dhe lëndët shkencore, por dhe shkencat sociale. Më ka pëlqyer shumë historia dhe kam dalë i pari në histori. Prindërit i kam arkitektë dhe që i vogël përzihesha me shkencën, fizikën dhe matematikën, pro nga ana tjetër shikoja pikturat dhe projektet, pra ka patur një lidhje të të dyjave. Gjyshërit I kam pasur dy mësues letërsie, dy mësues matematike. Unë jam rritur në familje mësuesish dhe kur rritesh me mësues të vjen dëshira të mësosh vetë”.

Jo vetëm në rang vendi, por mendja e Tedit vlerësohet edhe përtej Shqipërisë.

“Në olimpiadë ballkanike kam qenë në maj ku kam përfaqësuar Shqipërinë dhe pastaj kam përfaqësuar vendin në olimpiadën botërore në Tokio, Japoni dhe atje kam marrë medaljen e nderit”.

Vlerësimi i stafit mësimor dhe shoqërisë së shkollës për Tedin ndihet që sa hyn në klasë. Shokët e tij më të afërt janë po fitues olimpiadash, e konkurset i kanë bashkuar edhe më shumë me njëri tjetrin.

“Momentin e parë që jam përballur me Tedin, përgatitja ishte surprizuese. Model në të gjitha aspektet, qoftë në karakterin e tij është tepër miqësor, i komunikueshëm, jashtëzakonisht racional, i matur në momente të caktuara, aftësitë e liderit i ka të spikatura”, shprehet mësuesja kujdestare, Alma Sadikaj.

“Tedin e kam patur që në 9 vjecare shok, kemi patur një shoqëri që atëherë, por duke ardhur në gjimnaz e kemi përforcuar lidhjen. Na bashkon dhe historia sepse të dy e kemi pasion”, thotë Martin Bacelli.

“Unë jam shok i ngushtë me Tedin prej 3 vitesh dhe janë përshtatur dëshirat dhe pasionet me njëri tjetrin”, tregon Franc Lalaj.

“Tedin e kemi shok, kampion është dhe tifoz me Bajrenin që na lidh dhe jashtë pjesës së shkollës”, shprehet Ayan Spirollari.

Sfida e radhës e Tedit është në mars ku pas matematikës, konkurron në fazën e tretë të olimpiadës së historisë dhe informatikës.Teksa  për rezultatet e provimeve të maturës është i sigurt, pas tyre rrugëtimin e arsimit të lartë ‘gjeniu’ shqiptar nuk e shikon në Shqipëri.

“Për studime jashtë dhe pastaj shpresoj të rikthehem. Kam aplikuar në disa shkolla në Amerikë, Francë, Holandë, pres akoma përgjigje. Ëndrra është për jashtë. Baza do jetë matematikë, por jo e pastër. Diçka që do të ketë matematikë që të vazhdoj pasionin, por nga ana tjetër një punë që do ketë jetëgjatësi, që do të më garantojë të ardhmen”.

Top Channel