Ulet deficiti i pensioneve! Nga 27,6 mld lekë në 2015 në 17 mld lekë në 2023, eksperti Gjokutaj: Pavarësisht treguesit pozitiv nuk garanton rritje pensionesh

23/02/2024 20:03

Deficiti i skemës së pensioneve apo pagesat që buxheti bën për të mbuluar të ardhurat e munguara nga kontributet kanë rënë në nivelin më të ulët historik në 0.8% të PBB-së sipas shifrave të Ministrisë së Financave.

Konkretisht deficiti është ulur nga 27.6 miliardë lekë në 2015-tën në 17 miliardë lekë në vitin 2023. Për ekspertët, pavarësisht se treguesi është pozitiv sërish nuk garanton rritje pensionesh.

“Në momentin që flasim skema edhe pse mund të ketë një përmirësim në mbledhjen e të ardhurave është shumë larg objektivave afatgjatë që janë rritja e pensioneve mbi nivelin e minimumit jetik dhe nga ana tjetër fuqizimin e pensioneve të ulëta”- tha Eduart Gjokutaj.

FMN në vrojtimin e fundit të situatës financiare të skemës së pensioneve ngriti alarmin se ajo rrezikohet nga plakja e popullsisë, pasi në 2070 gati 80% e forcës punëtore pritet të jetë mbi 65 vjeç. Ekspertët shprehen se shteti nuk duhet të mbajë të gjithë barrën e riskut tek pensionet, por ta ndajë me qytetarët

Aktualisht mosha mesatare është 38.8 vjeç dhe është shqetësuese që në momentin që po flasim dhe nga ana tjetër largimi i popullsisë së re ngre pikëpyetje të mëdha për qëndrueshmërinë dhe sigurinë financiare të skemës sepse janë ata që duhet ta furnizojnë këtë skemë me kontribute, në mënyrë që të paguhen pensionet në vijimësi. Skema duhet të gjenerojë edhe të ardhura dhe këtu futet në lojë se sa do të jetë pjesa e asaj se si do të investohet shteti për të garantuar tranzicionin mes ndarjes së risqeve të skemës publike dhe private, në mënyrë që të ardhmen pensionet të mos bazohen vetëm në një shtyllë”- u shpreh Gjokutaj.

Ministria e financave dhe baka botërore janë aktualisht duke përgatitur një reformë tjetër të madhe të pensioneve pas asaj të 2015-tës, e cila pritet të zhdukë diferencat e mëdha mes pensioneve rurale dhe të qytetit, si dhe të sigurojë një rritje të qenësishme tyren.

Top Channel