“Nisma për ndërtimet në zonat e mbrojtura i hap rrugë betonizimit”, Tabaku thirrje shumicës: I ofron fitime një pakice. Paratë e krimit do pastrohen te lojërat e fatit

19/02/2024 11:38
Jorida Tabaku

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku tha në një deklaratë për mediat se lojërat e fatit do të jetë sektori ku do pastrohen paratë e krimit dhe do të prekë gjendjen shoqërore të vendit tonë.

“Të enjten e shkuar, Parlamenti i Shqipërisë me 72 vota miratoi “Rikthimin e Marrëzisë” të Lojërave të Fatit përmes një ligji që natyrisht nuk shëron asnjë nga plagët e trashëguara nga projektligji i vitit 2015 dhe madje asnjë nga plagët që mazhoranca socialiste pretendoi se do të mbyllte me ndalimin e Lojërave të fatit.

Ndryshimet e minutës së fundit të miratuara në seancën plenare do të jenë një mekanizëm për ta rikthyer sektorin e Lojërave të Fatit në një sektor potencial të pastrimit të parave dhe informalitetit që do të prekë rëndë xhepat e qytetarëve por edhe gjendjen shoqërore të vendit tonë.

Por sot, përpara jush nuk qëndroj vetëm për të denoncuar votimin dhe miratimin e projektligjit të lojërave të fatit që është një tjetër hallkë e zinxhirit të ligjeve me porosi që miraton një parlament noter.

Si një deputete dhe përfaqësuese e shqiptarëve dhe mbi të gjitha si një qytetare e shqetësuar me Shqipërinë që do t’i trashëgojnë fëmijëve tanë, jam sot këtu për të mbrojtur me aq sa mundem trashëgiminë tonë natyrore dhe integritetin ligjor të vendit tonë.

Në kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy nisma të tjera, që nëse do të kalonin, do të rreziokonin në mënyrë të pakthyeshme territoret dhe zonat e mbrojtura të vendit tonë.

Me një saktësi të orës zvicerane, mazhoranca socialiste, që pak muaj më parë iu krenua botës për shndërrimin e lumit të egër të Vjosës në Park Kombëtar. Ka propozuar një projektligj për ndryshimin e Zonave të Mbrojtura, ndërkohë që qeveria socialistë ka depozituar në kuvend një opinion të sajin për draftligjin e ligjvënësve socialistë.

Draft-ligji i propozuar nga deputetët socialistë dhe më tej mendimi i qeverisë socialiste përmes VKM, kërkon që të fshijë atë që ne e kemi konsideruar si të shenjtë; zonat e mbrojtura me të cilat i krenohemi botës dhe në të cilat ftojmë këdo t’i vizitojë.

Këto zona nuk janë thjesht parcelat e ndërtimit të një toke çfarëdo, por janë mishërimi i bukurisë natyrore të vendit tonë, diversitetit ekologjik dhe trashëgimisë që ne i lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë. Shkatërrimi i tyre, siç edhe parashikohet në propozimet që janë depozituar, apo çmontimi i statusit të tyre si zona të mbrojtura do të thotë zhbërja e viteve dhe përpjekjeve të sa e sa ambientalistëve dhe vullnetarëve për të konservuar mrekullinë tonë natyrore. Në të vërtetë kërkesat e paraqitura nga kolegët socialistë por edhe nga qeveria nuk janë vetëm se përpjekja për të shkatërruar balancën ekologjike dhe mbi të gjitha amanetin e të parëve tanë që na kanë lënë për këto vende, por dhe tradhëtia më e madhe ndaj fëmijëve tanë.

Ndërsa drafti i dytë i propozuar e rëndon edhe më shumë krimin ekologjik duke i hapur rrugë ndërtimit në këto zona që tanimë do të kthehen në parcela toke vulnerabël për tu betonuar me pasoja të rënda. Një lëvizje e tillë jo vetëm kundërshton angazhimin tonë ndërkombëtar dhe thyen direktivat e Bashkimit Europian, konventat e nënshkruara nga qeveritë shqiptare dërvite por i hap rrugën dhe një zhvillimi që është më shumë i dëmshëm se sa i dobishëm në ato zona. Kjo, është një qasje dritshkurtër që mund t’i ofrojë një pakice fitime afatshkurtëra por që do të dënojë përfundimisht shumicën dhe të ardhmen e vendit.

Qartësisht, këto propozime ligjore janë të ndërlidhura me njëra tjetrën si një rrjetë merimange. Janë lëvizje që kundërshtohen fort jo vetëm nga deputetët e opozitës, jo vetëm nga aktorët e shoqërisë civile por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

E kuptoj qartësisht që në kulmin e një krize ekonomike, në një situatë ku shqiptarët më shpejtë mendojnë të largohen, të flasësh për “Zonat e Mbrojtura” është mbase një luks. Por, debati sot nuk është më një çështje mjedisore, kjo më së shumti është një çështje ligjore me shqetësime të mëdha morale. Ajo flet qartësisht për vlerën e vendit tonë, për trashëgiminë tonë kombëtare dhe për angazhimin tonë të marrë përsipër pak javë më parë për një Zhvillim të Qendrueshëm dhe një qeverisje të përgjegjshme.

Shqipëria që ne duam t’i lëmë fëmijëve tanë është vendi i betonit të rezorteve në mesin e luginës së Valbonës? Thethit? Lepushës? Shqipëria që ne dëshumrojmë t’i lëmë fëmijëve tanë është ajo e betonit strategjik përgjatë lumit të Vjosës? Kanioneve të Nivicës?

Duhet të pyesim veten: cilën Shqipëri duam të lëmë për fëmijët tanë? Një të shkëputur nga mrekullitë e saj natyrore dhe pasuria ekologjike, apo një ku zhvillimi dhe konservacioni shkojnë dorë për dore, duke respektuar ekuilibrin delikat të ekosistemeve dhe ligjeve që i mbrojnë ato?

Ne mbrojmë një Shqipëri ku zonat e mbrojtura mbeten streha për biodiversitetin, ku zhvillimi ndiqet me kujdes për mjedisin, dhe ku njohuritë edhe dija e ekspertëve që kanë punuar me vite në mbrojtje të trashëgimisë sonë dëgjohet dhe respektohet. Ku konventat ndërkombëtare, direktivat e BE dhe zotimet për një Zhvillim të Qendrueshëm përpara partnerëve strategjikë nuk janë premtime të pavlera por angazhime.

Prandaj, i bëj thirrje kolegëve të mi deputetë, qeverisë dhe të gjithë palëve të interesuara të rishikojnë rrugën që këto projektligje do të na çonin. Le të punojmë së bashku për të gjetur një qasje të balancuar që siguron që zhvillimi i kombit tonë të mos bëhet në kurriz të trashëgimisë sonë natyrore. Le të mbajmë mbrojtjet që ruajnë zonat tona të mbrojtura dhe të kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme që përfitojnë të gjithë shqiptarët, tani dhe në të ardhmen”, tha Tabaku.

Në lidhje me bisedimet mazhorancë-opozitë për sigurimin e votave për Amnistinë Penale, ajo u shpreh se nuk ka informacion që dikush në grupin e PD të ketë nisur diskutime.

“Mendimi im personal dhe kjo është si hap i parë është që PD do duhet të bëjë propozime konkrekte sa i përket amnistisë penale. Unë besoj që e kam theksuar që jam për ndjekjen e institucioneve. Jam për ta bërë lutën dhe betejën parlamentare në institucione. Kështu që PD, që duhet patjetër t’i bëjë këto propozime. Në dijeninë time zonja Cupi ka bërë propozime, zoti Xhaferri ka bërë propozime, dhe të gjithë propozimet duhen ulur, e them pak rëndësi ka kush bën çfarë në PD, por të gjitha propozimet duhen vënë në një vend dhe duhet të jenë propozime të opozitës. Se di dhe nuk kam dëgjuar që në grupin parlamentar të PD të ketë nisur dikush diskutime për sa i përket amnistisë penale, si parim opozita gjithmonë ka mbështetur amnistinë dhe ka mbështetur si parim po them se nuk e kam lexuar  ende draftin, opozita ka mbështetur gjithmonë amnistinë e atyre që sot me pa të drejte ndodhen para drejtësisë një pjesë e madhe dhe prej abuzimit të qeverisë, kështu që duke iu referuar se shkuarës do të ishte një votë mbështetje nëse do ishim ne kushte normale për sa i përket aministisë”, tha Tabaku.

Ndërsa u pyet për vendimin e mazhorancës për të kaluar për miratim ne Kuvend marrëveshjen për emigrantët, ajo u përgjigj: Së pari me duket skandaloze që kryetari i grupit të PS di se kur do zbardhen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Është e patolerueshme, është e pakonceptueshme, nëndarjen e  pushteteve dhe për drejtësinë që po ngremë dhe duam të ngremë që kreu i grupit  të PS thotë që do zbardhet për pak ditë vendimi. PS nëse është e interesuar për vendimin e GJK ka të paktën 8 vendime që  lidhen me komisionet hetimore, një vendim që lidhet me një mandat deputeti , ka vendime të tjera të cilat duhet të zbatojnë për sa i përket bordit të karburanteve, ishin dy vendime që u morën nga Gjykata Kushtetuese, që nuk i ka zbatuar, ndërkohë që turret me turra vrap për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që nuk është zbardhur akoma.

Në lidhje me pyetjen nëse do të jetë pjesë e protestës së opozitës, Tabaku tha: Nuk besoj se dikush nga ju ka shqetësime sa i përket opozitarizmit tim, e kam treguar me vite me qëndrueshmëri, kështu që sot dua që lajmi të jetë për qeverinë, dhe jo se çfarë do bëj unë nesër. Ne i kemi lodhur shqiptarët, qytetarët, i kemi lodhur demokratët se çfarë bën kush në PD, kush shkon në proteste, si do ngrihen dhe çfarë do bëjnë. T’i flasim njerëzve, t’u flasim qytetarëve me fakte dhe me vepra dhe ta tregojmë me veprimet tona opozitarizmi. Nuk dua që sot lajmi të jetë se çfarë do të bëj unë nesër, të pres deri nesër, sot lajmi është se çfarë bën qeveria dhe këtë duhet të bëjmë të gjithë, të denoncojmë qeverinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA