A po luan Kurti “kartën” e patriotizmit? Deputeti i LVV: Në Veri ka pasur terrorizëm, ne u përgjigjëm

19/02/2024 21:24

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi ka deklaruar se vendimi për dinarin i ndërmarrë nga qeveria Kurti më shumë sesa një kartë patriotizmi është një zotim që iu bë më 2021-shin qytetarëve të Kosovës, para se LVV të merrte pushtetin, që do ta shtrinte sovranitetin e Republikës së Kosovës deri në Veri.

Në një lidhje live për “Top Story”, Abrashi tha se veriu ka operuar si një zonë e zënë ku janë zhvilluar aktivitete kriminale, duke i sjellë dëme të mëdha vendit qoftë në aspektin financiar edhe atë të sigurisë së Kosovës.

Duma: Duhej hequr dinari në ato zona apo jo?

Abrashi: Të gjitha këto zhvillime në veri ne duhet ti shohim si ngjarje që ka qenë zotim i përhershëm i LVV dhe Kurtit për shtrirjen e sovranitetit të munguar të Kosovës që nga paslufta. Ka mbi dy dekada që veriu është kthyer në një zonë që po shteron të gjitha energjitë e Kosovës dhe po pengon zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të saj.

Meqënse na u shterën të gjitha mjetet ne duhet të ecim përpara pa marr parasysh mungesën e duartrokitjeve nga populli brenda apo reagimet e aleatëve nga jashtë. Prioritet për ne mbetet marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët, por pa ndikuar në të ardhmen e Kosovës.

Duma: Mos është kjo strategji e Kurtit që po luan “kartën” e patriotizmit? Me këtë veprim juve duket sikur rritët duartrokitjet patriotike të kosovarëve dhe jo ato ekonomike. Pse bëhet kaq shumë pretagonizëm me veriun kur mund të bëhet një negociatë dhe juve keni aleatë edhe SHBA-në?

Abrashi: Ka ardhur koha që qeveria qendrore e Republikës së Kosovës të ketë një qasje serioze në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin kushtetues. Kjo nuk ka të bëjë me patriotizmin, është një detyrim që do të hapë rrugë dhe shtigje të tjera për Kosovën që në fund të merret me tema të tjera.

Veriu i Kosovës ka operuar si një zonë e zezë ku janë zhvilluar aktivitete kriminale, të cilat kanë lulëzuar të papenguara nga asnjë lloj autoritetit. Përkundrazi të financuara dhe të futura nga ana e Serbisë për të vazhduar kështu. Nuk mund të mohohet se ka pasur edhe elementë nga Prishtina që u ka leverdisur ky aktivitet në Serbi. Por më të cenuarit nga mungesa e një autoriteti të ligjshëm në veri janë vendasit, shumica serbë dhe natyrisht shqiptarët. Kjo i ka sjellë dëme të mëdha Kosovës qoftë në aspektin financiar, por edhe të sigurisë së Kosovës. Me ndryshimet e 14 shkurtit 2021 qytetarët kanë votuar një forcë politike sikurse LVV që pjesë thelbësore të programit të saj ka pasur shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe veriun, dhe kjo është ajo çka aktualisht po ndodhë.

Top Channel