“Punë pa bereqet”/ Banka e Shqipërisë: U rritën kostot e punës, por produktiviteti u përkeqësua

15/02/2024 19:54

Ardhja e çmimeve në objektiv sipas Bankës së Shqipërisë mund të realizohet në fundin e 2024-ës.

Ndër faktorët kryesorë të rrezikut institucioni monetar përmend presionet që tashmë vijnë nga tregu i brendshëm. Sipas BSH, rritja e shpejtë pagave nuk po shoqërohet me produktivitet, duke rritur kostot për njësi të punës.

Treguesi që matet periodikisht ka filluar përkeqësimin prej një vitit dhe në tremujorin e tretë, kostot e punës u rritën me 9.9% një nga nivelet më të larta në dekadën e fundit.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë ka vlerësuar në rritje dhe rreziqet e tjera që vijnë për inflacionin, sidomos për çmimet e ushqimeve dhe naftës në prani të konflikteve rajonale, që mund të sjellë një valë të dytë krize inflacioniste.

Gjatë 2023-it, Banka e Shqipërisë thotë se ia doli që të ulë inflacionin dhe të sigurojë rritje ekonomike. Normat e interesit nuk dëmtuan tregun dhe kanë lejuar një hapësirë stimuluese. Faktorë të tjerë që ndihmuan sipas BSH ishte mbiçmimi i lekut që ndikoi pozitivisht në zbutjen e çmimeve nga mallrat e importit dhe turizmi, i cili gjallëroi ekonominë dhe rrjedhimisht kredinë.

Por, gjatë këtij viti parashikimet janë për një ngadalësim të ekonomisë për shkak të një kërkese më të ulët si dhe krizës në partnerin tonë më të madh tregtar eurozonës si dhe mungesat në tregun e punës.

Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit të saj vendosi të mos rrisë normën bazë të interesit për lekun, duke e fiksuar në 3.25%, një nga normat më të ulëta në Evropë dhe rajon.

Top Channel