Pamje të habitshme janë publikuar në Britani ku një i dyshuar shihet të bjerë papritur nga tavani ku fshihej, para se të arrestohej nga policia.
25 vjeçari Jake Hill, u filmua nga kamerat trupore të policisë teksa binte përtokë, para se të arrestohej si i dyshuar për vrasje.
Ai është aktualisht në gjyq për vrasjen e 32 vjeçarit Michael Allen gjatë një sulmi me thikë ku mbetën disa njerëz të tjerë të plagosur.
Në gjyq u tha se ai kishte goditur e prerë disa persona me thikë para se të binte përtokë i plagosur.
Në video të shfaqura në gjykatë por jo në publik, shihet dhe vdekja e të ndjerit Michael Allen, që bie përtokë pasi u godit me thikë në bark nga i dyshuari.
Video e arrestimit të Hill ishte bërë po ditën e vrasjes teksa policia erdhi në adresën e të akuzuarës tjetër Tia Taylor, e cila fillimisht mohonte se Hill ishte në shtëpinë e saj.
Sipas raportimeve, një nga fëmijët e gruas i kishte treguar oficerëve se ai fshihej në tavan.
Rrjedhimisht ai është arrestuar për vrasje dhe dy tentativa vrasjeje natën e 30 prillit të vitit të shkuar.
Gjyqi vazhdon.
Top Channel