Kostot e larta në blegtori! Blegtorët e Myzeqesë: Çmimi i ulët i qumështit po e çon sektorin drejt zhdukjes

11/02/2024 14:24

Engjëll Zamzade është transferuar nga Dibra në Lushnjë prej shumë vitesh, pas kthimit nga emigracioni në Greqi. 

Që nga ajo kohë merret me blegtori, por thotë se kostot nga fillimi i kësaj pune deri tani janë rritur ndjeshëm.

“Rritja e çmimeve të bazës ushqimore, mungesa e krahut të punës, niveli i ulët i subvensionimeve ka bërë që Engjëlli të mendoj për braktisjen e kësaj pune”- tha Zamzade.

Zaim Kastrati një tjetër blegtor që ka migruar nga qarku i Kukësit në Lushnje shprehet se shpenzimet janë te shumta dhe fitimet pak.

“Punëtorët nuk pranojnë të vinë edhe pse pagesa është e kënaqshme, preferojnë të ikin në Greqi, çmimi i qumështit në ulje. Kam 30 vjet që merrem me bujqësi por ky sektor po shkon drejt zhdukjes”- tha Kastrati.

Zootekniku, Engjëll Pole shprehet se sektori i blegtorisë është një nga më të vështirat sepse do një punë 24 orëshe.  Ai ka një këshillë për blegtorët lidhur me çmimin e ulët e të qumështit.

Pole i këshillon këta blegtorë “të mos e shesin qumshtin, por të ushqejnë qingjat gjë e cila përkthehet në mish”.

Në Myzeqe, nga viti në vit ka pasur një rënie të madhe të numrit të gjedheve.

Top Channel