Blegtorët në protestë: Çmimi i shitjes së qumështit është shumë i ulët, ka shkuar në 55 lekë litri

10/02/2024 15:22

Blegtorët e Devollit kanë protestuar për shkak të çmimit të ulët të grumbullimit të qumështit dhe mishit.

Sipas tyre kostot për mbajtjen e bagëtive janë rritur ndërsa çmimet kanë pësuar rënie ndaj ata e kanë të pamundur të përballen me këtë situatë.

Çmimi i qumështit të lopës nga 70 lekë ka shkuar në 55 lekë për litër ndërsa ai i deles nga 140 në 120 lekë për litër çka i vendos në vështirësi blegtorët. Krahas tyre edhe fermerët vijojnë të kenë prodhimet e pashitura duke ngritur alarmin për situatën shqetësuese në të cilën mbetet sektori i bujqësisë.

Pasiguria e tregut, me të cilin përballen çdo vit fermerët dhe blegtorët, si dhe mungesa e politikave mbështetëse, sipas tyre po i detyron të braktisin një prej sektorëve kyç të ekonomisë shqiptare ndërsa paralajmërojnë përshkallëzimin e protestave.

Top Channel