U mor e pandehur për kallëzim të rremë/ Gjyqtarja Këlliçi: Prokurori kërkoi falje e tha se ishte i dehur! U shndërrova në person në hetim pa u pyetur, si doli eksperti në konkluzion?!

08/02/2024 11:11

Ish-gjyqtarja Arnisa Këlliçi, në një intervistë ekskluzive për “Breaking” në Top News tregon kërcënimet e vazhdueshme që ka marrë, ndërsa pretendon se hetimi i Prokurorisë ishte i nxituar dhe i pabazuar në fakte.

Sipas saj, në fillim është kërcënuar kancelari dhe në telefonat që ai ka marrë nga një prokuror, përmendej edhe ajo vetë. “Adriano Durmishi më tha se kam qenë i dehur, s’kam pasur qëllim të të kërcënoj me jetë”, u shpreh Këlliçi.

“Ka pasur 5-6 telefonata ndaj kancelarit. Ai i ka ruajtur të gjitha këto. Me sa më bënë me dije, kancelari nuk e dinte pse bëheshin këto kërcënime. Në 15 janar më bëri me dije, kontaktova prokurorin e çështjesh dhe i kam thënë që është krijuar një situatë e tillë, që është e papranueshme. Prokurori nuk i është bindur as drejtuesit. Pasi i dhashë një ultimatum, erdhi në zyrën time, ka bërë një kërkesë falje, në prezencë edhe të një miku të tij, ish-gjyqtar. Më tha se kam qenë i dehur, s’kam pasur qëllim të të kërcënoj me jetë. Si duket, ka qenë shumë i ngarkuar emocionalisht. Këtë bisedë e kam të regjistruar të gjithën. Megjithatë, asnjë magjistrat, i dehur apo jo, s’mund të kërcënojë. I thashë t’i kërkojë falje kancelarit, me sa duket nuk e ka bërë. Letra ka hyrë në zyrë në ditën kur erdhi dhe prokurori të kërkojë falje”.

Sipas Këlliçit, letra ka ardhur në tavolinën e saj në 15 janar, në të njëjtën ditë kur prokurori hyri në zyrë për t’i kërkuar falje. Lidhur me ekspertizën që nxori se letra është shkruar nga vetë ajo, ish-gjyqtarja shpjegon se asnjëherë nuk janë marrë modele të shkrimit të saj. “Pa më vënë në dijeni, u vura nën hetim”, tha ajo për “Breaking”.

“Kisha shumë punë dhe letrën e kam hapur pas katër ditësh, zarfi ishte gjysmë i hapur. E lexova disa herë, kërcënohesha me jetën time dhe të fëmijëve të mi.

Nuk e pranoj që e kam shkruar unë. U paraqita në Prokurori, thashë se duke qenë se do të dëshmoj për një prokuror që ushtron detyrën te ju, nuk jeni kompetente për të hetuar këtë rast. Më pas, kam marrë mesazhe nga më të ndryshme. U thashë që është absurde se ka konflikt interesi. Paraqita një kërkesë, që të hetohej nga një prokuror i një rrethi tjetër. Mua nuk më kanë marrë shembuj të shkrimit tim. Ai është një shkrim dukshëm i ndryshëm nga imi. Ata kanë cituar që kanë marrë shkrime të lira, por se si vetëm ata e dinë. Nuk më njoftuan asgjë. U shndërrova pa patur dijeni fare, në një person nën hetim, nga një ekspert që arriti në një konkluzion rekord që ajo letër nuk është shkruar nga unë. Do të kërkoj një riekspertim”.

Këlliçi tregoi dyshimet e saj për personin/personat që mund ta kenë kërcënuar dhe arsyet.

“Rastësia në kohë, fati që erdhi ditën kur prokurori erdhi të më kërkonte falje… mendoj se arsyet mund të variojnë që nga fakti që ka qenë i dehur apo inate profesionale, apo mund të ketë qenë i shtyrë nga miq të vetë, kryesisht ish-gjyqtarë.

Në lidhje me kërcënimin e parë, ka qenë me dy emra, nga unë dhe kancelari. Mund të ketë qenë cedim i momentit, unë nuk kisha drejtpërdrejt mesazhe në telefonin tim, por ishin te kancelari. Kërcënimin e dytë e zbulova pasditen e datës 20. Kisha një hezitim, fola për dy-tre orë me familjarë e miq. Mbështetja që mora, e menjëhershme, ishte nga Ministria e Drejtësisë. Nga Magjistrati, më thanë të shohim nga e hëna, u thashë që një gjyqtar, mund të kërcënohet edhe në fundjavë”.

Ndërkohë, një ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor e pezulloi nga detyra gjyqtaren Arinsa Këlliçi, e cila nga denoncuese, u kthye në subjekt hetimi që i kushtoi vendin e punës.

Top Channel