Protestues pro-Trump e anti-Trump mblidhen para gjykatës së lartë të SHBA (fotot)

08/02/2024 19:34

Disa protestues anti-Trump e pro-Trump shiheshin sot jashtë gjykatës se lartë e cila do të dëgjojë apelin e tij kundër ndalimit të kandidimit në zgjedhje në shtetin e Colorado.

Gjykatësit do të vlerësojnë nëse përfshirja e Trump në trazirat e 6 janarit 2021 dhe sulmet e mbështetësve të tij ndaj ndërtesës së Kongresit garantojnë përjashtimin e tij nga konkurrimi presidencial.

Gjatë dy orëve të argumentimit, si anëtarët konservatorë dhe ata liberalë të gjykatës shprehën shqetësim për faktin se “shtete të veçanta duhet të vendosin individualisht se cilët kandidatë do të dalin për zgjedhjet e nëntorit”.

Gjykata e lartë e Colorado duke cituar amendamentin 14 të kushtetutës përjashtoi Trump të kandidojë në këtë shtet për zgjedhjet 2024.

Avokati i Trump, Jonathan Mitchell, ish-prokuror në Texas tha në hapje të argumenteve se vetëm Kongresi mund të skualifikojë një kandidat.

“Vendimi i gjykatës së Colorado është i gabuar dhe duhet të anullohet,” tha Mitchell duke shtuar se vendimi i heq të drejtën e votës miliona amerikanëve.

Jason Murry, përfaqësues i votuesve në Colorado insistonte se Trump duhet të skualifikohet bazuar në seksionin 3 të amendamentit 14.

Ky i fundit ndalon këdo të mbajë post publik nëse është përfshirë në “kryengritje ose rebelim” pasi më parë ishte betuar se mbështeste apo mbronte kushtetutën.

Ndërkohë Trump, tha për gazetarët nga Florida, se ‘po ndiqte zhvillimet në gjykatë dhe se shpresonte një vendim në favor të tij’.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA