Disa organizata joqeveritare dhe media serbe që veprojnë në Kosovë kanë mbajtur konferencë për media ku kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me bastisjet që ka kryer policia ndaj zyrave të strukturave paralele.
Shefi i zyrës së Qendrës për Paqen dhe Tolerancë në Prishtinë tha se ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i ka akuzuar për spiunazh padrejtësisht, derisa shton se do vazhdojnë ta japin shërbime për shtatë të moshuarit serbë që jetojnë në kryeqytet.
“Kjo qendër në Prishtinë është ndër më të vjetrat në Kosovë ku ofrojmë ndihmë për komunitete të ndryshme. Për momentin fushata mediatike dhe akuzat drejt kësaj organizate na kanë krijuar frikë dhe pasiguri për shkak të spekulimeve dhe deklarimit të ministrit të Punëve të Brendshme për punën gjoja ilegale të organizatës tonë”, tha DEK Vladan Trifiq, Qendra për Paqe dhe Tolerancë.
Në anën tjetër, gazetari i Radio Gorazhdeci ka treguar se policia ishte e ashpër me ta në bastisjen e 2 shkurtit në komunën e Istogut.
“Pamë njësi speciale që kanë zënë komplet sheshin në Gorazhdec dhe ka nisur bastisja e zyrave e cila është në Shtëpinë e kulturës. Policë me armë të gjata, e gjithë ato pajisje u futën dhe kontrolluan. Kjo zgjati 5 minuta dhe më pas janë larguar. Kam një përshtypje të hidhur pasi na kanë kërcënuar të mos guxojmë të bëjmë foto apo video”, tha Darko Dimitrijeviq.
OJQ-të thanë se çdo aksion do konsiderohet sulm deri në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
“Të gjitha lëvizjet pa zgjidhjen më parë të statusit të ZSO janë dhe do të konsiderohen të përshkallëzuara, andaj Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të angazhohet për zgjidhjen e statusit dhe formalizimin e ZSO-së dhe të pezullojë të gjitha lëvizjet e tjera që synojnë ta bëjnë punën e institucioneve serbe në Kosovë. më e vështirë para se t’u ofrohet alternativë në formën e këtij obligimi ndërkombëtar të Kosovës”, thaJovana Radosavljeviq nga Nova Iniciativa.
Organizatat kërkuan nga Qeveria e Kosovës të përmbahet nga siç i quajtën ata veprimet e njëanshme në çështjet që rregullohen apo negociohen në kuadër të dialogut të BE-së.
Në Kosova pas mbylljes së katër zyrave të strukturave paralele, janë edhe 14 të tjera aktive.
Top Channel