Fluks turistësh në janar! Vetëm muaji i parë i vitit me 500 mijë vizitorë, 30% më shumë se në 2023

07/02/2024 19:37

Rekordin e më shumë se 10 milionë turistëve që arriti vendi ynë në vitin që lamë pas, pritet ta thyejë viti 2024, të dhënat e të cilit janë mëse premtuese.

Vetëm në muajin e parë të këtij viti, të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave flasin për 489.599 vizitorë të huaj që kanë vizituar Shqipërinë përgjatë janarit.

Këto shifra tregojnë një rritje me 30% të numrit të turistëve që kanë zgjedhur vendin tonë për të pushuar këtë janar në krahasim me vitin 2023 kur Shqipërinë e vizituan 377.211 turistë. Dhe po tu referohemi sërish shifrave rezulton se janari i vitit 2024 shënoi një rritje me 2.5 herë krahasuar me 2022, kur vendin tonë e vizituan 194.237 shtetas të huaj.

Shifrat e janarit të vitit 2024 ashtu si edhe shifrat e muajit nëntor e dhjetor të vitit që lamë pas tregojnë për një orientim drejt turizmit gjithëvjetor nga jugu në veri.

Fshatrat turistikë të veriut të vendit me lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare, po orientohen të thithin turistë nga e gjithë bota, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Duke nisur nga Alpet Shqiptare, destinacion që lidh natyrën me aktivitetin dhe turizmin sportiv, tek plazhet e jugut që kombinohen me malet, deri tek marinat dhe portet që pritet të rrisin hyrjet nga deti, përfshi edhe Tiranën si qendër e turizmit dhe kulturës, vendi ynë ofron një potencial të madh për tërheqjen e sa më shumë turistëve.

Top Channel