Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka reaguar ndaj deklarimeve të Bashkimit Evropian në lidhje me mbylljen e komunave paralele, duke thënë se është vetë BE-ja ajo e cila duhet t’i kërkojë Serbisë të shmangë provokimet në Kosovë dhe jo e kundërta.
“Kosova të shmangë veprimet e njëanshme në Kosovë? Kërkojini Serbisë të shmangë provokimet në Kosovë”, ka shkruar Musliu në rrjetin social X.
Më herët, BE-ja shprehu “shqetësim të madh mbi operacionet e Policisë Speciale në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia”.
“BE-ja i kërkon Kosovës edhe një herë që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e zëdhënësit Peter Stano në rrjetin social X.
Para disa ditësh, me urdhër të Prokurorisë, policia ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme njofton se me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.
Ndërkohë, ish-ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj ka përshëndetur aksionin e organeve shtetërore për mbylljen e komunave paralele serbe në vend, duke theksuar rëndësinë që ka koordinimi me aleatët ndërkombëtarë.
Por, Haradinaj ka shprehur brengën se nëse kjo është bërë për lejuar Listën Serbe të operojë në Kosovë dhe për të kursyer kriminelin Milan Radoiçiç nga aktakuza, atëherë nuk është ndonjë fitore e madhe.
“Por nëse çmimi për këtë është ‘kursimi’ i Radojçiq nga aktakuza, dhe vazhdimi i financimit e operimit pa pengesa të të ashtuquajturës parti Lista Serbe në Kosovë, atëherë nuk e di a mund ta quajmë fitore dhe spastrim nga strukturat ilegale të Serbisë”, shkruan Haradinaj.
Top Channel