Gjatë një takimi në Fondacionin Heritage, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg kujtoi se në këtë vit që shënon 75-vjetorin e krijimit të organizatës së Traktatit Veri-Atlantik, edhe më shumë dalin në pah nevojat për një shtim të shpenzimeve dhe një qëndrueshmerie të mbrojtjes në të gjithë aleancë.

Kreu i NATO-s i mëshoi idesë se në mënyrë që ajo të përballet sfidat e mëdha të momentit, lipset një ndarje më e ekuilibruar e barrës dhe një rritje e prodhimit të mbrojtjes. Një luftë e plotë po zhvillohet në Europë, kujtoi ai, e me Kinën që sa vjen dhe forcon pozitat, gjithmonë e më shumë aleatë e kuptojnë vlerën e qëndrimit të bashkuar.

“Për 40 vjet ne e frenuam Bashkimin Sovjetik, dhe pastaj befas ai nuk ishte më. Atëherë njerëzit thanë se NATO duhet të dilte nga zona dhe ne dolëm, dhe ndihmuam t`i jepej fund dy luftërave brutale etnike në Ballkan: në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe në Kosovë. Dhe më pas, pas sulmit të 11 shtatorit, NATO-ja bëri diçka që askush nuk e parashikonte që ne do të bënim dhe që ishte të ishim në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit dhe të ndihmonim Shtetet e Bashkuara”, tha Stoltenberg.

Për më shumë se 7 dekada, NATO-ja i ka shërbyer paqes dhe stabilitetit, ka promovuar vlerat demokratike e ka pasur rol kyç në eksplorimin e mënyrave për t`i bërë ballë kërcënimeve nga kundërshtarët. Pas vitit 2014, u shpreh Stoltenberg, aleanca arriti të përshtatej sërish me fokus te shtuar tek mbrojtja kolektive në Europë dhe kjo është arsyeja përse ajo konsiderohet si një histori suksesi.

Top Channel