FT: Gjenerali i ushtrisë së Ukrainës refuzon dorëheqjen duke thelluar përplasjen me Zelensky

31/01/2024 21:39

Zelensky mohonte sot pretendimet e mediave se ishte përpjekur të shkarkonte gjeneralin e ushtrisë Valerii Zaluzhny teksa tensionet mes të dyve duket se po thellohen.

Komandanti më i lartë i ushtrisë së Ukrainës raportohet se ka refuzuar të dorëhiqet pas disa muajsh debatesh me presidentin, shkruan rrjeti amerikan Financial Times.

Dje mediat ukrainase përfshirë ‘Ukrainska Pravda’, ‘Ukrinform’ dhe ‘Kyiv Independent’, dhe disa rrjete ne Telegram, njoftonin se kreu i ushtrisë ishte thirrur nga Zelensky.

Burime të ‘Financial Times’ thonin se presidenti kishte ofruar gjeneralit një rol të ri si këshilltar mbrojtjeje por ai kishte refuzuar.

Burimet thonin se qëllimi ishte largimi i Zaluzhny nga pozita aktuale por ai refuzonte të lëvizte në një rol të ri.

Oleksii Goncharenko, deputeti opozitar ukrainas, aleat i gjeneralit, tha për rrjetin The Guardian se “dje presidenti kërkoi Zaluzhnyi largimin por ai kishte refuzuar”.

Prej nëntorit Zelensky kishte kritikuar gjeneralin kur ai sugjeroi se gjendje në frontin e luftës ishte ‘në ngërç’, ndërsa muajin e shkuar Zaluzhny kishte shprehur pakënaqësi me zyrat e rekrutimit të ushtarëve në Ukrainë, teksa kërkon më shumë njerëz të mobilizuar në luftën me Rusinë.

I pyetur për raportimet mbi Zaluzhny, zëdhënësi i Zelensky, Sergii Nykyforov tha: “Sigurisht që jo, presidenti nuk ka shkarkuar komandantin e ushtrisë”.

Vetë Zaluzhny nuk ka bërë komente mbi zhurmat dhe as presidenti nuk ka folur mbi spekulimet në fjalimin e djeshëm.

Komandanti drejton ushtrinë e Ukrainës prej qershorit 2021 dhe besohet se ka mbështetje të gjerë mes ushtarakëve dhe publikut.

Por Zelensky kishte reaguar shpejt ndaj komentit të tij për “ngërçin” në front, dhe kundërshtoi deklaratën.

Në dhjetor presidenti tha se kishte një “marrëdhënie pune” me gjeneralin edhe pse sinjalizoi se nuk ishte i kënaqur me drejtimin e forcave të armatosura, shkruan rrjeti TheIndependent.

“Unë pres gjëra konkrete në fushëbetejë, pres vendimet e tyre pasi strategjia është e qartë”, kishte thënë ai.

Lufta brutale ne Ukraine ka shkaktuar deri tani rreth 80 000 të vdekur prej të cileve 10 000 civilë, sipas raportimeve.

Analistët amerikanë të luftës ‘Institute for the Study of War’ (ISW) të cilët monitorojnë konfliktin në Ukrainë, thonin sot se burimet ruse po shfrytëzonin lajmet për shkarkimin e mundshëm të  Zaluzhnyi duke nxitur propagandistët të përshkruajnë raportimet si “kaos” që është “i dobishëm për Rusinë”./TheIndependent/

FOTO GALERI
3/3
Komandanti më i lartë i ushtrisë së Ukrainës raportohet se ka refuzuar të dorëhiqet

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA