Italia ka thirrur ambasadorin hungarez për sqarime pas publikimit të imazheve të një gruaje italiane të prangosur në një gjykatë në Budapest që ka ndezur debat dhe zemërim publik në vendin e saj të origjinës.
Ilaria Salis, 39-vjecare, mësuese e ciklit të ulët nga Monza, pranë Milanos, u shfaq në një gjykatë në Hungari e prangosur në duar e këmbë.
Ajo akuzohet për sulm ndaj disa simpatizantëve të djathtë me tendenca neo-Naziste vitin e kaluar në Budapest.
Zhvillimi kishte ndodhur gjatë një serie manifestimesh të kësaj natyre vitin që shkoi në Budapest, në kujtim të “Ditës së Nderit” të Luftës së Dytë Botërore, që e djathta ekstreme e shënon me parada.
Por aktivistja ‘anti-fashiste’ italiane ishte regjistruar në video duke goditur me shkelma një hungarez të shtrirë përtokë, gjatë përleshjeve në demonstratën e grupeve ekstremiste të majta e të djathta.
Prokurorët thonë se ajo dhe disa të tjerë kanë ardhur posaçërisht në Hungari për të kryer “sulme të shpejta e të pabesa ndaj njerëzve që besojnë të e djathta ekstreme” gjatë manifestimit.
Dy qytetarë gjermanë ishin arrestuar bashkë me zonjushën Salis në ngjarje, një prej të cilëve u dënua me 3.5 vite burg për dhunën e ushtruar.
Salis, e akuzuar për sulm fizik në bashkëpunim, përballet me deri në 11 vjet burg nëse shpallet fajtore, teksa është deklaruar e pafajshme.
Salis është tashmë prej një viti në burg, por çahtja e saj nisi të tërheqë vëmendje prej tetorit kur babai saj Roberto, ka nisur të denoncojë publikisht kushtet e vështira në të cilat po mbahet bija e tij.
Më tej në një intervistë për rrjetin ‘Repubblica’, një ish-shoqe qelie e Salis shprehej se ajo qëllimisht po mbahej në një qeli të mbushur me minj e insekte, shkruan rrjeti britanik BBC.
Një peticion që zonjusha Salis të kthehet në Itali ka mbledhur tashmë 90,000 firma në vendin e saj.
Sot ministri i jashtëm Antonio Tajani, njoftoi se ka thirrur ambasadorin hungarez në Romë “për të kërkuar se përse normat themelore të të burgosurve nuk po respektohen në rastin e saj”.
Eugenio Losco, një nga avokatët e Salis’ tha për BBC se skenat e prangosjes në duar e këmbë në gjykatë ishin “një shkelje e qartë e konventës së të drejtave të njeriut, kundër torturës ose trajtimit inhuman, ose dënimit degradues”.
Shërbimi i burgjeve në Hungari refuzon akuzat e kushteve jo-sanitare duke thënë se “kontrolle higjene kryhen shpesh në institucione dhe të burgosurit marrin kujdesin e duhur shëndetësor”.
Avokati i Salis tha se “është e vështirë të jesh optimist” për gjyqin dhe akuzonte sistemin hungarez të drejtësisë si “tepër shtypës”.
Losco kërkonte që klientes së tij t’i lejohej paraburgimi në Itali.
“Nuk e kuptoj përse nuk na e japin pasi rreziku që ajo të largohet është inekzistent”, shtoi ai.
Top Channel