Me 63 vota pro, tre kundër dhe asnjë abstenim, Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Ai do të jetë kryeministër në tre muajt e ardhshëm, deri në përfundimin e zgjedhjeve. Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Gjatë debatit parlamentar më herët gjatë 28 janarit, Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Xhaferi, që më herët ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit, tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve.

Por kush është Talat Xhaferi?

Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Çegran.

Me kryerjen e shkollës fillore përcaktohet për profesionin e vet të ardhshëm dhe në vitin 1977 regjistrohet në shkollën e mesme të Gostivarit, që mandej në vitin 1978, pasi i kryen me sukses provimet pranuese në gjimnazin Ushtarak në Beograd, të vazhdojë arsimin e vet atje.

Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Diplomoi në afatin e parashikuar dhe fiton gradën e nëntogerit.

Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pasdiplomike, me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollski”, Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Karrierën në Armatë e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), ndërsa pas pavarësimit të shtetit, respektivisht në vitin 1992, ishte oficer aktiv në Armatën Popullore të Maqedonisë (APM) deri në vitin 2001.

Në vitin 2001 Talat Xhaferi iu bashkëngjit Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës(UÇK) dhe pas përfundimit të luftës ai në vitin 2002 e filloi karrierën politike me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).

Top Channel