Fermerët protestues bllokojnë hyrjen e stacionit kryesor në jugperëndim të Francës (fotot)

25/01/2024 19:39

Fermerët francezë kanë lëshuar sot pleh organik, goma e panele të drunjta në hyrjen e stacionit kryesor të Agen në jugperëndim të vendit, në vijim të protestës së tyre që nuk po merr reagim nga qeveria.

Ata kërkojnë që zyrtarët të përgjigjen ndaj shqetësimit të tyre për politikat rritjes së taksës së karburantit dhe reduktimit të subvencioneve.

Kryeministri i ri Gabriel Attal  u takua sot me ministrin e bujqësisë dhe të ekonomisë për të zgjidhur krizën dhe ndaluar që bllokada të shtrihet dhe në kryeqytet, shkruan rrjeti vendas AFP.

Pas takimit zyra e ministrit të bujqësisë Marc Fesneau tha se Attal do të bëjë “propozime konkrete” për ndihmën ndaj fermerve, siç dhe kanë kërkuar këta të fundit.

Me qindra traktorë kanë hyrë sot brenda qyteteve të Rennes e Nantes në perëndim të vendit, duke u rënë borive e duke shfaqur pankarta anti-qeveritare e imitime gijotine.

“Nuk durojmë më pasi nuk fitojmë dot jetesën me punën tonë, nëse njerëzit duan ushqim cilësor ata nuk duhet të blejnë prodhimet e huaja”, tha protestuesja Nathalie Posseme, duke iu referuar politikave të zëvendësimit të ushqimit vendas me importe.

Qindra fermerë kishin bllokuar gjithashtu autostradën M35 pranë Strasbourg në lindje të vendit ashtu si dhe autostradën A1 pranë Lille, në kufirin me Belgjikën.

Informacionet e trafikut flisnin gjithashtu për rrugë të bllokuara në Avignon e Marseille në jug.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA