Fasoneritë po nxjerrin të papunë! Shkak, kostot e rritura dhe pagat e ulëta. Punëtorja: Mbaj familjen me këtë rrogë

20/01/2024 15:30

Biznesi fason që punëson 75 mijë njerëz në vendin tonë, po kalon një periudhe krizë.

Në një fabrikë veshjesh në Kamëz, e cila ka aktualisht të punësuar 82 punëtorë, e ngritur para 7 vjetësh, prodhon veshje pune që kanë destinacion Gjermaninë.

Dorela Paluca, menaxhere e fabrikës:Arsyet që po na çojnë në krizë, janë rritja e pagave, rritja e taksave e energjisë elektrike, dhe e çmimit të karburantit. Të gjitha këto nuk përkojnë me euron. Kur ne nisëm punë para 7 vjetësh euro ishte 130 lekë, sot është 103 lekë. Punëtorët tanë kërkojnë rritje page. Klientët tanë gjermanë vijnë dhe thonë se janë të pakënaqur me ne, se ne I kërkojmë çmime më të larta. Ata na thonë se nuk jemi konkurrentë dhe se do të shkojnë në vendet fqinje ku edhe euro ka stabilitet. Vitin e shkuar ne prodhonim 20 mijë copa në muaj. Tani prodhojmë 8000 copa në muaj. Në këto kushte kur nuk përballojmë dot kostot ne nuk na mbetet veçse të mbyllim biznesin dhe punëtorët të dalin në rrugë.”

Florina Hilaj, punëtore fasonerie: “Unë jam 55 vjeçe. Nuk jam as e vjetër për të dalë në pension dhe as e re të gjej një punë tjetër. Ne më këtë punë mbajmë familjen, paguajmë shpenzimet. Fëmijët i kam të dy në shkollë të lartë. Këtu është e pasigurt edhe puna e krahut, pa lere për të tjerat. Sado e vogël kjo pagë këtu, ne nuk marrim më ushqime me listë, kemi shpëtuar nga listat.”

Brunilda Hithi, punëtore fasonerie:Unë kam 3 fëmijë të vegjël. Burrin e kam prej 2 vitesh në burg dhe kam edhe vjehrrën në shtëpi. Unë këtë punë e kam bazën për të mbajtur të gjithë.”

Top Channel