OKB thotë se palestinezët e arrestuar nga forcat izraelite rrihen e turpërohen (fotot)

19/01/2024 18:26

Përfaqësuesi i të drejtave të njeriut thotë se burra palestinezë janë ndaluar pa justifikim nga ushtria izraelite, duke u mbajtur në vendndodhje të paditura për 30 deri në 55 ditë.

Zyrtari OKB bënte gjithashtu thirrje për ndalim të keqtrajtimit të të ndaluarve në Rripin e Gazës që abuzohen fizikisht e psikologjikisht.

Përfaqësuesi Ajith Sunghay shkruante sot konstatimet në raportin e tij pas vizitës në Gaza, ku u takua me disa nga të ndaluarit pas lirimit.

“Të liruarit raportojnë se janë ndaluar e mbajtur vetëm në të mbathura në këtë mot dimri, madje jo në të mbathurat e tyre por ato që u jepnin ushtarët. Nuk dihet përse ushtarët e bënin këtë,  por ata ishin qartazi të shokuar kur unë i takova”.

Disa video të publikuara nga ushtria izraelite tregojnë dhjetra palestinezë të zhveshur në të mbathura, të rreshtuar ulur jashtë në të ftohtë, nganjëherë me sy të mbyllura, në një formë të re degradimi e turpërimi që po përdoret nga ushtria izraelite.

Në disa video të tilla të ushtrisë izraelite në situata të ngjashme janë parë dhe gra e fëmijë.

Videot raportohen se janë marrë nga vendndodhje të ndryshme në Gaza, si Beit Lahiya, Shujayea e Jabalia.

Në një tjetër zhvillim sot disa të burgosur të liruar nga Izraeli në Gaza arritën në spitalin e Abu Youssef Al Najjar në jug të Gaza, duke denoncuar keqtrajtimin e tyre nga ushtria.

“Ata ishin bërë objekt torture e rrahjesh. Më pas ishin transferuar në qendrën e ushtrisë izraelite”, tha Muhammad Abu Samra për rrjetin e Katarit, Al Jazeera.

“Ushtria na kërcënonte të qëllonte teksa ishim të zhveshur në të ftohtë. Ushtaret femra na sulmonin, godisnin dhe ofendonin me fjalët më të ndyra”, shtoi i liruari.

Monitoruesit e grupit Euro-Med Human Rights Monitor, thanë se të ndaluarit ishin detyruar të shanin e mallkonin grupe ose liderë palestinezë, dhe se ishin transferuar me kamionë të hapur në vendet e ndalimit, ku më pas ishin rrahur ose bërë objekt i formave të tjera të keqtrajtimit.

“Izraeli duhet të ndalojë këto praktika dhe të sigurojë që të ndaluarit ose të arrestuarit të trajtohen sipas normave ndërkombëtare humanitare me respekt të plotë ndaj të drejtave të tyre,” shtonte Sunghay.

Deri të premten zyrtarët palestinezë thonë se nga sulmet e bombardimet izraelite kanë humbur jetën mbi 24, 000 palestinezë dhe ajnë plagosur rreth 60 000 të tjerë, ndërsa numri viktimave nga sulmet e 7 tetorit të grupit Hamas në Izrael. është korrigjuar në 1,139.

FOTO GALERI
2/3
Në një tjetër zhvillim sot disa të burgosur të liruar nga Izraeli në Gaza arritën në spitalin e Abu Youssef Al Najjar në jug të Gaza, duke denoncuar keqtrajtimin e tyre nga ushtria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA