Kryeministri i Irakut, Mohamed Shia al-Sudani ka përsëritur sot kërkesën e tij që koalicioni anti-militant i drejtuar nga SHBA të largohet nga vendi i tij, në kohën e konfliktit të rëndë Izrael-Hamas në Gaza.
Në komentet televizive nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ai tha se mbyllja e misionit është një nevojë sigurie e stabiliteti për Irakun.
“Mbyllja e misionit të koalicionit ndërkombëtar është nevojë për sigurinë, stabilitetin e Irakut dhe ruajtjen e lidhjeve të tij me vendet anëtare të koalicionit”.
Kryeministri Sudani, ka përsëritur javët e fundit kërkesën e tij për largimin e trupave të huaja, por analistët perëndimorë thonë se qeveria e tij përfshin parti me anësi nga Irani.
Komentet e fundit vijnë pas disa sulmeve të SHBA ndaj grupeve pro-Iran në kundërpërgjigje të disa përplasjeve me forcat e koalicionit.
Këto të fundit janë vendosur në Irak prej vitit 2014 për të luftuar grupin militant ISIS.
Sudani shtonte në komentet e tij se është e nevojshme “të nisë menjëherë dialogu dhe përcaktimi i planit të tërheqjes së misionit dhe këshilltarëve të huaj nga Iraku.
SHBA ka rreth 2,500 ushtarë në Irak dhe 900 në Sirinë fqinje në atë që Uashingtoni quan “koalicioni anti-ISIS”.
Prej fundit të vitit 2021 koalicioni në Irak ka mbyllur misionet e luftimit dhe është vendosur në baza ushtarake në kapacitet trajnimi ose këshillimi.
Por Sudani tha se koalicioni nuk nevojitet më.
“Sot nga analizat e specialistëve në Irak dhe mes partnerëve tanë, mësohet se ISIS nuk është një kërcënim për shtetin e Irakut”.
Top Channel