
Fakt kurioz dy ditë para fillimit të Kupës së Kombeve të Afrikës. Gjatë seancave stërvitore të kombëtares algjeriane në Bouaké (Bregu i Fildishtë), një dron është parë duke spiunuar seancën që po drejtohej nga trajneri Djamel Belmadi.
Ai vendosi në mënyrë të pashmangshme pezullimin e seancës deri në mbërritjen e policisë, e cila ndërhyri dhe arrestoi pilotin e dronit, i cili është një burrë me origjinë nga Bregu i Fildishtë. U sekuestrua edhe karta e memories së pajisjes.
Nuk ka asnjë komunikim zyrtar për momentin nga federata algjeriane e futbollit edhe pse media “DZFoot” raportoi se njeriu në fjalë ishte punësuar thjesht nga një media algjeriane, me synimin për të gjurmuar lëvizjet e trajnerit.
Algjeria do të nisë turneun të hënën, më 15 janar, kundër Angolës. Më pas do të vijojnë ndeshjet ndaj Burkina Fasos, në datën 20, dhe Mauritanisë, në datën 23. Afrikano-veriorët janë ndër favoritët për fitoren përfundimtare në Kupën e Kombeve të Afrikës, kompeticion që e fituan në dy raste, në 1990 në shtëpi dhe në 2019 në Egjipt.
Në mesin e të ftuarve nga Belmadi janë tre lojtarë nga Seria A: Ismael Bennacer i Milanit, lojtari i Romës Houssem Aouar dhe lojtari i Leçes Ahmed Touba.
Top Channel