Izraeli bie në gjurmët e pengjeve: Janë në një tunel në Gaza!

11/01/2024 07:14

Ushtria izraelite pohoi se ka rënë në gjurmë të personave të marrë peng nga Hamasi, të cilët sipas saj, kanë qenë në një tunel nëntokësor në qytetin e Khan Younisit në Gaza, të kthyer tashmë në epiqendrën e ofensivës së shtetit hebre në këtë territor.

Një derë teneqeje e ndryshkur mbulonte hyrjen e tunelit, në kopshtin e një banese, ndërsa një shkallë e improvizuar të çonte drejt tunelit me mure betoni rreth 2.5 metra nën tokë. Në brendësi të tij, u gjetën prova se pengjet ishin mbajtur aty, përfshirë edhe gjurmë ADN-je.

“Pengjet mbaheshin këtu, në këtë sistem tunelesh në kushte mjaft të vështira. Kaq mund të them për momentin”, u shpreh Daniel Hagari, zëdhënës i IDF-së.

Ai nuk dha detaje se çfarë u gjet saktësisht në tunel, as se kur ishin mbajtur pengjet aty dhe nuk tregoi  ishin emrat e tyre. Ai gjithashtu nuk tha nëse pengjet janë gjallë apo kanë vdekur. Disa nga pengjet e liruara gjatë armëpushimit në fund të nëntorit e patën pohuar se ishin mbajtur nëpër tunelet që Hamasi ka hapur në mbarë Rripin e Gazës dhe për të cilat Izraeli ka thënë se janë përdorur prej kohësh për kontrabandën e armëve dhe kalimin e luftëtarëve, duke shmangur kështu bllokadën e vendosur ndaj këtij territori.

Autoritetet izraelite e kanë kthyer në prioritet të ofensivës së tyre shkatërrimin e rrjetit të tuneleve të Hamasit, duke i përshkruar ato si një rrezik tejet të madh. “Nuk është rrezik 360 gradë, është  720 gradë, nëntokë dhe mbitokë”, tha gjenerali i brigadës, Dan Goldfus, i cili shtoi gjithashtu se Izraeli mendon se edhe lideri i Hamasit, Yehya Sinëar, fshihet në një tunel në Khan Younis.

 

Top Channel