Policia në Indi tha sot se ka arrestuar një burrë që i kishte prerë dorën me sëpatë një profesori më shumë se një dekadë më parë në shtetin jugor Kerala, pasi kishte ofenduar fenë islame në një pyetje provimi.
Savad, 38-vjeçari i identifikuar vetëm me emrin e parë, u arrestua dje në Kannur pas një ndjekje 13 vjeçare, shkruan rrjeti britanik TheIndependent.
TJ Joseph, profesor i gjuhës malajziane në një universitet lokal, po kthehej nga kisha një të diele në 2010, teksa një grup burrash i bllokuan rrugën e makinës. Një prej tyre i armatosur me sëpatë i theu xhamin dhe e nxorrën jashtë duke e rrahuar.
Një nga duart e Joseph u këput në sulm, po ashtu tjetra u dëmtua rëndë.
Sulmuesit shpërthyen gjithashtu një bombë artizanale dhe e lanë viktimën e përgjakur në rrugë.
Profesori akuzohej për ofendim të profetit musliman Muhamed në një nga pyetjet e hartuara të provimit disa muaj më herët, ndërsa sulmi raportohet se u krye nga një organzatë politike muslimane e ndaluar në Indi.
Rrjedhimisht ai u dërgua në spital ku doktorët punuan mbi 15 orë për të riqepur dorën e copëtuar dhe të riparonin kyçin.
Policia vendase ka arrestuar gjatë viteve 42 persona për cështjen. Tre prej tyre janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe 19 të tjerë u dënuan me dënime më të lehta.
Savad, i cili akuzohej për rol kryesor në sulm, u arrestua në shtëpinë e tij ku jetonte me gruan e dy fëmijët.
Ai doli dje para gjyqit dhe mori masën e paraburgimit deri në fund të muajit.
Profesori Joseph tha se është mirë që është kapur një kriminel i arratisur prej 13 vitesh. “Unë nuk përfitoj nëse ai burgoset ose lirohet por të gjithë ata që kanë marrë pjesë duhet mbajnë përgjegjësi, që këto aktivitete të reduktohen,” tha ai për rrjetin vendas The New Indian Express.
Top Channel