Seanca për hidrocentralin e Skavicës/ Shoqatat kërkojnë shfuqizimin e ligjit, argumentojnë shkeljet në Gjykatën Kushtetuese

10/01/2024 10:18

Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën e radhës gjyqësore, kërkuar nga tre organizata për shfuqizimin e ligjit për ndërtimit e hidrocentralit mbi Drinin e Zi në Skavicë të Kukësit.

Shoqata “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”, Shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit paraqitën konkluzionet e tyre, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit. Sipas tyre, ligji i 23 marsit 2021, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nuk merr për bazë liritë e komunitetit ku do të ndërtohet hidrocentrali, godet konkurrencën. Nëse shteti vendos prishjen e kontratës, rrezikon arbitrazhin, sipas avokatëve përfaqësues të këtyre shoqatave.

Komiteti shqiptar i Helsinkit: Në lidhje me cenimin e parimeve kushtetuese të barazisë para ligjit dhe veprimtarisë ekonomike të shtetasve, me ligjin 38/2021, kompanisë kontraktuese, jo vetëm që i janë dhënë të drejta dhe avantazhe ekskluzive në planifikimin, hartimin dhe zbatimin e një projekti publik, por edhe i janë dhënë të drejta ekskluzive në përzgjedhjen e të gjithë zinxhirit të furnizimit për zbatimin e këtij projekti, i cili të paktën për fazën e parë, do të financohet nga fondet publike të gatshme. Edhe për fazën e dytë, do të jetë në formën e kredisë.

Ligji shtrembëron seriozisht konkurrencën dhe cenon parimin e lirisë ekonomike.

Në lidhje me pamundësinë në përcaktimin e ligjit 38/2021 për të ndalur në një rast lidhjen e kontratës finale, subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, nuk ka arritur të përcaktojë nga dispozita konkrete të ligjit këtë mundësi.

I kërkojmë përfundimisht Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ligjin 38/2021.

Shoqata “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”: Kemi të bëjmë me një sërë shkeljesh të të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë: të drejtën për të gëzuar pronën private, për të zgjedhur ushtrimin e profesionit, për të zgjedhur vendbanimin, për të zhvilluar një jetë familjare, për të pasur akses në gjykatë. Të drejtën për të mbrojtur identitetin kombëtar, trashëgiminë kulturore, për të garantuar paprekshmërinë e objekteve të kultit, parimin e barazisë para ligjit. Në të gjitha këto ka ndërhyrje nga ana e ligjit, që është objekt i gjykimit.

Nuk tregohet se çfarë do të bëhet, nëse ky studim del negativ, mund të rezultojë apo jo në një braktisje të projektit. Kemi të bëjmë me një skenar të determinuar administrativ, që në fund fare duhet një bazë ligjore dhe një detyrim ligjor i të gjithë organeve që të përfundojnë negociatat dhe të lidhin kontratën e dytë, që synon ndërtimin e në projekti që do të ndryshojë jetën e atyre komuniteteve, do të ndryshojë gjeografinë e Shqipërisë dhe do të mbysë vlerat kulturore, arkeologjike të zonës, për një hidrocentral që do të zgjasë 70 apo maksimumi 100 vite.

Nuk është marrë parasysh interesi për të zhvilluar volumin ekonomik të zonës, sa vlen toka, sa ka potencial zona. Ka shumë mënyra të tjera për të prodhuar energji, që janë më pak ndërhyrëse te të drejtat e komuniteteve.

Shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”: Është provuar se objekti cenon themelet e Kushtetutës. Nuk ka asnjë arsyetim pse një kontratë duhet të vishet në formën e ligjit.

Nëse qeveria shqiptare do ta zgjidhje në fazën e dytë, kontratën në mënyrë të njëanshme, do të rrezikonte të shkonte në arbitrazh. Do t’i shtohej listës së padive ndaj shtetit shqiptar.

Shoqata “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”, Shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit  i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese në maj të vitit 2023 që të shfuqizojë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ligjin e 23 marsit 2021 mbi “përcaktimin e procedurës së veçantë për negocim dhe ekzekutim të kontratës me shoqërinë Bechtel International Inc, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Sipas tyre, hidrocentrali me kapacitet instalimi 210 megavatë, që planifikohet të ndërtohet në Skavicë të Kukësit, në lumin Drini i Zi, rrezikon më shumë se 30 fshatra në Dibër, zona kufitare me Skavicën.

Top Channel