Rriten tarifat e ujit për qarkun Vlorë! Familjarët do të paguajnë 33% më shumë

10/01/2024 16:19

Reforma e bashkimit të shoqërive të ujësjellës kanalizimeve në 15 shoqëri rajonale ka sjellë edhe ndryshime në tarifa.

Shoqëritë e reja të krijuara pasi kanë bërë një vlerësim të aseteve dhe të situatës së furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura, si dhe konsultimeve në bashki kanë bërë aplikimet në entin rregullator të ujit për rritje tarife në mënyrë që të përmirësojnë shërbimin.

Kështu ERRU ka miratuar rritjen e parë të tarifave për shoqërinë e ujësjellës kanalizimeve Vlorë me vendimin e bërë publik në Fletore Zyrtare.

Në qarkun Vlorë ku i shërbehen mbi 165 mijë banorëve dhe përfshihen dhe bashkia Himarë dhe Selenicë tarifat e reja do të jenë 60 lek/m3 ose 33% më të larta. Tarifa është më e ulët seç kishte kërkuar UK Vlorë.

Ndërkohë rritje tarife do ketë dhe për bizneset dhe institucionet publike që do të paguajnë 120 lek/m3 apo rritje me 20%. Tarifat prekin dhe shërbimin e largimit të ujërave të ndotur. Për familjarët do të rriten në 17 lek apo me 12%, ndërsa për biznesin në 28 lek/m3 apo 11%. Edhe tarifat për lidhjet e shërbimit fiks do të preken. Ato dyfishohen për familjarët dhe rriten me 2.5 herë për bizneset.

Enti rregullator përveç miratimit të tarifave i ka kërkuar UK Vlorë edhe një sërë detyrash. Të rrisë kohën e furnizmit me ujë, të përmirësojë faturimin e ujit të harxhuar, të përmirësojë eficencën e stafit e një sërë detyrash të tjera. Në proces miratimi tarifash nga Enti Rregullator i Ujit janë dhe ato të shoqërive në Fier, Durrës dhe Lezhë.

Top Channel