Më pak ndeshje në një sezon, Seria A përgatit reformën

09/01/2024 13:07

Numri i lartë i ndeshjeve në një sezon po bëhet gjithnjë e më shqetësues për futbollistët, teksa ata vetë, por edhe trajnerët, nuk i kanë kursyer asnjëherë ankesat për impenjimet e shumta.

Veçanërisht futbollistët e klubeve të mëdha janë ata që nuk i shpëtojnë asnjëherë intensitetit, duke luajtur në kompeticione të ndryshme, përfshi edhe grumbullimet me përfaqësueset përkatëse.

Pikërisht për këtë arsye, kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina ka hedhur idenë e një ndryshimi në Serinë A, që ka të bëjë me reduktimin e skuadrave pjesëmarrëse nga 20 në 18.

Dy skuadra më pak, që do të përktheheshin në dy javë më pak në kalendarin sezonal të Serisë A, teksa propozimi mbështetet nga klubet e mëdha, por has në kundërshti nga ato të nivelit mesatar dhe të ulët.

Në muajin mars është parashikuar të mblidhet edhe Asambleja e Jashtëzakonshme e Ligës së Serisë A, ku pritet të ketë edhe një debat të fortë pikërisht për numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Serinë A.

Rruga e parë është arrija e marrëveshjes për një kampionat me 18 skuadra, por kjo reformë kërkon konsensus të të gjithë ekipeve pjesëmarrëse. Nëse nuk do të ketë një marrëveshje, atëherë pritet që të synohet miratimi i një pike që i heq të drejtën e vetos një skuadre të vetme dhe bën që vendimet të miratohen me shumicë votash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA