Rrëfimi i gazetarit të Top Channel: Ulur bashkë në një tavolinë me Rebecca Gannon! Humbi jetën në Sarandë, në 2022

06/01/2024 15:35

NGA MUHAMED VELIU

Është nga ato momentet të cilat ndodhin mbase njëherë në jetë. Të ulesh në të njëjtën tavolinë me një person, i cili ka ndërruar jetë dhe babain e saj.

Ne ishim të tre bashkë mbrëmjen e 5 Janarit 2024. Unë, Rebecca Gannon, e cila humbi jetën më 19 Shtator 2022, teksa u zhyt në Sarandë dhe George Gannon, babai i saj.

Kishte sjellë me vete nga Anglia një pjesë nga kremimi Rebeccës, e ndarë nga jeta në moshën 29 vjeçare. George më tregon se ka sjellë një pjesë të Rebeccës për ta vendosur atje ku humbi jetën. Shtatë metra nën det, në anijen e mbytur në Sarandë, për të cilën ajo u zhyt ta shikonte, por nuk doli gjallë nga deti pas një avarie me mjetet zhytëse.

George është duke e vizituar Shqipërinë për të disatën herë. Kjo vizitë e tij e fundit, siç më tregon ai, mbart një simbolikë të fortë.

Në Sarandë kam marrë një apartament me qira, me pamje nga vendi ku vajza ime ndërroj jetë. Sa herë nisem nga Anglia bashkëshortja ime më thotë mos ta lë vetëm Rebeccën. Vendosja nën det në një kuti xhami e një pjese të hirit, mbetur pas kremimit të trupit të saj, dua të shikohet nga të gjithë ata të cilët do të zhyten. Në të njëjtën kohë sa herë do të dal në dritare, ajo do të jetë shumë herë më afër meje“, më thotë George, me sytë e mbushur me lot e nën emocione të forta.

Janë lotët e një babai për humbjen e të bijës, i cili prej ndarjes së saj nga jeta, është investuar për të bërë drejtësi për të bijën.

Pas një komunikimi intensiv me George, bashkëshorten dhe fëmijët e tij, prej gushtit 2023, ishte hera e parë që takoheshim. Kryefjalë e bisedave ka qenë ecuria e hetimeve nga Prokuroria e Sarandës. E njëjta ishte në tavolinën mes meje, George dhe kutisë brenda të cilës ishte Rebecca.

I shpjegoj George se përse iu bashkova përpjekjeve të tij në bërjen drejtësi për të bijën. Aktualiteti i vrullshëm që prodhon përditshmja e lajmeve na bën të raportojmë një ngjarje kur ndodh, por shpesh të mbetet me kaq.

Se si zhvillohet më tej si në rastin e Rebeccës “harrohet” nga të tjera ngjarje, të cilat eklipsojnë njëra-tjetrën. George është besim plotë se afati dy vjeçar për përmbylljen e hetimeve, siç e parashikon ligji shqiptar, duhet të jetë i mjaftueshëm për të zbardhur ngjarjen e 19 shtatorit 2022.

Prokurorja Alba, që udhëhoqi hetimet, nuk është më pjesë e prokurorisë Sarandë, pas marrjes së një detyre të re. Tashmë sfida në bërjen drejtësi për Rebecca Gannon kalon tek prokurori i ri trashëgues, i dosjeve nën hetim të prokurores, Alba Dhima.

Ndahem me Geoge dhe Rebeccën, e cila krahas varrit në vendlindje në Angli, pas pak ditësh do të jetë përjetë edhe në fundin e detit të Sarandës, ku mbylli sytë tragjikisht duke bërë atë që kishte bërë në shumë vende të botës “scuba diving”, zhytjet nën ujë.

(Gazetar i politikës në Top Channel)

Top Channel