Mbretëresha daneze Margrethe II njofton abdikimin nga froni Live në TV gjatë urimit të fundvitit! Ja kush e zëvendëson

31/12/2023 23:15

Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II ka njoftuar abdikimin e saj të papritur në një fjalim televiziv ku supozohej t’u uronte qytetarëve të saj gëzuar Vitin e Ri 2024.

Monarku zyrtarisht do të japë dorëheqjen më 14 janar, në 52-vjetorin e mbretërimit.

“Unë do t’ia lë fronin djalit tim, princit të kurorës Frederik“, tha Margrethe II.

83-vjeçarja është mbretëresha e vetme në fuqi në botë dhe monarkja aktuale me shërbimin më të gjatë në Evropë, duke marrë fronin pas vdekjes së babait të saj, mbretit Frederik IX në 1972.

Margrethe II u shpreh se vendimi ishte marrë pas një periudhe reflektimi pas operacionit që kreu në shpinë në fillim të vitit 2023.

Kirurgjia natyrshëm më bëri të mendoj për të ardhmen – nëse kishte ardhur koha për t’ia lënë përgjegjësinë brezit të ardhshëm”- tha Monarku, duke shtuar se: “Kam vendosur që tani është koha e duhur.”

Mbretëresha Margrethe II falënderoi publikun danez për mbështetjen e tyre ndër vite. Kryeministrja Mette Frederiksen falënderoi mbretëreshën për shërbimin e saj.

“Në emër të të gjithë popullsisë, do të doja të falenderoja nga zemra Madhërinë e Saj Mbretëreshën për përkushtimin e përjetshëm dhe përpjekjet e palodhura për Mbretërinë.

Edhe pse detyra dhe pozita e regjentit është dhënë për më shumë se 1000 vjet, është ende e vështirë të kuptohet se tani ka ardhur koha për një ndryshim froni”, thuhet në deklaratë.

“Shumë prej nesh nuk kanë njohur kurrë një regjent tjetër. Mbretëresha Margrethe është mishërimi i Danimarkës dhe gjatë viteve ka thënë me fjalë dhe treguar me ndjenja se kush jemi ne si popull dhe si komb.”

Ndryshe nga tradita mbretërore britanike, nuk do të ketë asnjë ceremoni formale kurorëzimi për princin e kurorës Frederik, i cili është 55 vjeç. Në vend të kësaj, pranimi i tij do të shpallet nga Kështjella Amalienborg në Kopenhagë atë ditë.

Frederik IX do të zërë vendin e saj si Mbret i Danimarkës dhe kreu i shtetit në vend, i cili është një monarki kushtetuese. Po ashtu, krahas Danimarkës ai do të jetë mbret edhe në Grenlandë dhe Ishujt Faroe.

Mbretëresha Margrethe është një figurë e njohur në Danimarkë dhe shumë danezë kishin pritur që ajo të qëndronte në fron deri në vdekjen e saj.

“Ajo është për ne ajo që mbretëresha Elizabeth ishte për ju,” tha gazetarja daneze Tine Gotzsche për BBC. Mbretëresha Margrethe mori pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022 dhe ata festuan jubilenjtë e tyre përkatës në të njëjtin vit.

Ajo nuk pritej të bëhej mbretëreshë kur lindi. Por kur ishte 13 vjeç, ligji danez ndryshoi për të lejuar gratë të merrnin fronin. Më shumë se një dekadë më parë, Mbretëresha Margrethe u shpreh se ajo ishte frymëzuar nga mbretëresha e ndjerë britanike për t’i kushtuar “jetën time kombit tim ashtu siç ka bërë ajo, dhe në këtë mënyrë ajo ka qenë shumë e rëndësishme për mua. “

Dyshja kishin qenë sovranet e vetme femra të mbetura në botë përpara vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth. Mbretëresha Elizabeta II mbretëroi për 70 vjet.

Top Channel