EMRI/ I afërm i Pëllumb Gjokës, arrestohet me urdhër të SPAK edhe biznesmeni i njohur nga Velipoja, i dyshuar për veprimtari kriminale

17/05/2024 11:59
Pëlumb Gjoka

Në 43 urdhrat e lëshuar nga SPAK në pranga ka rënë edhe biznesmeni nga Velipoja në Shkodër Mir Bruli.

Bruli është i dyshuar për veprimtari kriminale. Në mbështetje të SPAK ishin edhe forcat e policisë vendore të Shkodrës të cilët nën drejtimin e SPAK finalizuan këtë operacion.

Mir Bruli është një i afërm i biznesmenit Pëllumb Gjoka i cili është i arrestuar si pjesë e dosjes “Metamorfoza”. Pak kohë më parë një prej bizneseve të Mir Brulit në pjesën e Vilunit në plazhin e Velipojës u shemb nga IKMT si ndërtim pa leje. Mir Bruli është i njohur për bizneset në plazhin e Velipojës, lokale, restorante dhe hoteleri ndërsa është i dyshuar nga SPAK si i përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale.

Arrestimi i tij është bërë në orët e mëngjesit të sotëm nga forca të shumta policie të cilët bënë të mundur prangosjen e biznesmenit.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi aksionin e SPAK, ku janë aprovuar 43 masa sigurie për akuza nga më të rëndat, si vrasje, sigurim mjetesh për vrasje apo pjesë e organizatave kriminale, ndërsa aksioni i SPAK është vazhdim i dosjes “Metamorfoza”.

Prokuroria e Posaçme (SPAK), më 4 maj dha detaje me anë të një njoftimi zyrtar lidhur me përfundimin e hetimeve për të pandehurit e akuzuar për dosjen “Metamorfoza”.

Hetimi për Ervis Martinajn mbi përfshirjen e tij në këtë dosje, është veçuar. I shumëkërkuari, shfaqet në bisedat me Behar Bajrin të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit.

Në përfundim të hetimeve, SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj të pandehurve, Pëllumb Gjoka, Edmond Preka dhe Behar Brajoviç për vrasjen e Gjin Ndojit, si dhe Astmer Bilalit e Ardirit Hasanbegaj për sigurimin e mjeteve për atentatin ndaj Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.

Ndërsa ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri akuzohet për zbulimin e të dhënave sekrete, prishjen e provave dhe korrupsionin e zyrtarëve publikë.

Prokurorit të Shkodrës Xhevair Lita që shfaqej duke komunikuar me anëtarë të grupit për zhvillimin e dosjeve hetimore , i është hequr akuza e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor.

 

Top Channel