Deputeti Gazment Bardhi e cilëson abuzim me ligjin ashpërsimin e masës për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Masa ndaj Berishës sipas Bradhit është e paarsyeshme dhe e panevojshme, e cila tregon përndjekjen politike ndaj opozitës.
“Tejkalimi i nevojës, veprimeve të arsyeshme dhe abuzimi me masat shtrënguese kthehet vetvetiu në padrejtësi. Opozita vërtetë nuk ka betejë me drejtësinë, por e kundërta e kësaj duhet të jetë edhe më e zëshme: drejtësia nuk mund të ketë betejë, përtej asaj që dikton ligji, me opozitën.
E në këtë drejtim, një deputeti nuk mund ti pezullohet ushtrimi i funksionit, që defacto arrihet nëse atij i ndalohet kumunikimi dhe përmbushja e veprimtarisë politik qoftë edhe në kushte izolimi, sepse këtë nuk e lejon shprehimisht ligji.
Abuzimi me ligjin në këtë rast, duke izoluar Sali Berishën në kushte që nuk aplikohen as për të burgosurit, është qartazi i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe një tejkalim që lë shijen e përndjekjes politike ndaj opozitës.
Përndjekja politike ndaj opozitës do ta rradhiste Shqipërinë krah Rusisë, dhe jo krah vendeve të NATO-s apo BE-së. Në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, cilido mund të hetohet dhe nëse rezulton i fajshëm të dënohet.
Por në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, askush nuk mund të përndiqet politikisht, askush nuk duhet të trajtohet përtej standarteve që lejon ligji dhe janë të nevojshme në një shoqëri me drejtësi dhe barazi. Abuzimi, tejkalimi dhe mungesa e arsyes janë gjithmonë PADREJTËSI!”, shkruan Bardhi.
Top Channel