
Një tjetër video tmerri nga bota e egër tregonte sot një aligator që vriste një gjarpër piton në kënetat e Floridas në SHBA, e regjistruar nga një çikliste kalimtare.
Alison Joslyn, e cila është vrapuese dhe e apasionuar pas fotografisë së botës së egër regjistroi pamjet shokuese teksa kishte dalë me biçikletën e saj.
“Tani do të ketë një piton më pak për të terrorizuar ujërat e Everglades”, shkruante ajo pas postimit të videove dhe fotove nga lugina Shark Valley në parkun kombëtar Everglades.
Joslyn përshkruante ngjarjen si “të rrallë e të veçantë” duke theksuar ambjentin unik natyral të vendit.
Ajo shtonte se aligatori dukej i ngathët, ndoshta prej temperaturave të ftohta të ditëve të fundit ose dhe i lodhur nga beteja me pitonin.
“Megjithse fitimtar aligatori mezi lëvizte dhe vrisja mendjen nëse ishte nga i ftohti apo se e kishte kafshuar gjarpri. Ai nisi më pas ta hante por iu desh të ndalonte pasi ndoshta ishte shumë i madh”, shkruante vajza.
Pas asaj që me siguri duhet të kishte qenë një betejë e ashpër mes dy zvarranikëve, gjarpri kishte humbur në gojën e aligatorit 3.5 metra të gjatë, edhe pse tentonte të sillej rreth trupit të tij.
“Unë e di që ata nuk janë helmues por aligatori kishte kokën e gjarprit në gojë dhe mendoja se mund ta kishte kafshuar teksa luftonte për jetën”, shkruan Joslyn.
Pitonët në Florida konsiderohet si specie invazive (e huaj) pasi nuk e kanë origjinën aty dhe shkaktojnë pasoja dëmtuese për ekosistemet e Everglades, shkruan Daily Mail.
Ata nuk sulmojnë njerëzit por kafshë të vogla vendase si rakunë, oposum e gjitarë të tjerë.
Gjarpërinjtë kanë vendosur tashmë popullatën e tyre në jugun e Florida dhe konkurojnë me specie ë tjera për ushqim, duke shkaktuar zvogëlimin e tyre, thonë zyrtarët.
Zyrtarët e botës së egër në Florida rekomandojnë “vrasjen e tyre në mënyrë humane” shpejt pas kapjes./Daily Mail/
Top Channel