Prokuroria e Posaçme depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë për Jamarbër Malltezin, ku kërkon rikthimin e tij në qeli.
Kërkesa erdhi pak kohë pas ndryshimit të masës nga ana e gjykatës së Apelit që vendosi masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Ndërkohë nga ana tjetër Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e Jamarbër Malltezit për kthimin e celularit dhe sendeve të tjera të sekuestruara nga SPAK. Vendimi u dha nga gjyqtarja Iliriana Olldashi këtë të premte.
Ajo e cilësoi si të ligjshëm sekuestrimin e sendeve të dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, që është vendosur nën akuzë nga prokuroria e posaçme antikorrupsion për çështjen “Partizani”. Malltezi, i cili ndodhet në “Arrest shtëpie” përmes avokatëve të tij kishte kërkuar kthimin e celularit, kompjuterëve por dhe materialeve të tjera që u sekuestruan nga SPAK gjatë aksionit.
Nën akuzë për këtë çështje është vendosur dhe ish-kryeministri Sali Berisha si dhe ndërtuesi Famtir Bektashi. Nga hetimet Jamarbër Malltezi dyshohet se përfitoi rreth 5 milionë euro nga privatizimi i kompleksit Partizani. SPAK insiston se biznesmeni dhe Malltezi në bashkëpunim i pastruan paratë duke fshehur origjinën e vërtetë të tyre.
Me ish-kryeministrin Berisha të dyshuar për korrupsion pasiv, i cili e konsideron vendimin në shkelje kushtetuese, dhe me Malltezin që e cilëson çështjen si politike, SPAK po vijon hetimet ndërsa deri më tani ka sekuestruar 16 pasuri mes të cilave dhe 6 llogari bankare si dhe aksione të ndryshme.
Top Channel