Ekskluzive/ “E tradhtoi dhe e vrau”, mbesa e Kudret Saliajt në “Shqipëria Live”: 4 vite burg janë pak për Dhuratën

14/12/2023 16:57

Mbesa e Kudret Saliajt, i cili u vra një vit më parë nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari foli ekskluzivisht për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel.

Sipas saj, vendimi ndaj Dhuratës, ish-gruas së Kudret Saliajt është i padrejtë pasi ajo ka bashkëpunuar për vrasjen e të ndjerit dhe duhej të dënohej me 30 vite heqje lirie dhe jo 4 vite.

Mbesa e viktimës theksoi se familja do t’u bëjë një thirrje organeve kompetente për rishikim të rastit, pasi janë absolutisht të shokuar nga vendimi që u mor disa ditë me parë.

“Fokusi i tij i vetëm ishte marrja e tre fëmijëve, kjo u përdor si pretekst prej tyre se daja im nuk e lejonte të shikonte fëmijët, është shumë e pavërtetë, ka psikologë që kanë ndjekur të gjithë procesin gjyqësor, ku fëmijët shkonin një herë në javë, e ka parë me sytë e vet se si daja im i sillte fëmijët duke qarë, ka mesazhet psikologia, ku djali i madh i dajës sim që tani nuk jeton më që të lutem mos na bezdis më nuk duam të vijmë, fëmijët nuk kanë dashur ta takojnë. Fëmijët kanë qenë ata që kanë kapur edhe tradhtitë e së ëmës së tyre, prandaj ka qenë ky reagim kaq i fortë, sepse dhe arsyeja e divorcit ka qenë tradhti bashkëshortore. Ne kemi ndjekur prej dy vitesh e gjysmë gjyqet. Çdo gjë ndryshoi pas 48 orësh, u bë një rrëzim i akuzës për vrasje dhe iu vendos një akuzë e re Dhuratës, ajo e krijimit të terrenit për vrasjen gjë e cila ne na ka shokuar, ende nuk dimë asgjë, vendimi nuk është zbardhur akoma, e dimë që gjithmonë nuk ka përputhje të kërkesës së prokurorit dhe gjykatës për çështje të ndryshme, ama një diferencë kaq drastike, e mendonim që mund të kishte një ulje, por nga 30 në katër?!”, u shpreh ajo.

Gjykata e Apelit vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin, i cili vrau ish-dhëndrin, Kudret Saliajn, para ambienteve të gjykatës në qershor të vitit 2021, ndërsa vajzën e tij me vetëm 4 vite e gjashtë muaj burg, si bashkëpunëtore në krim.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 4 qershorit 2021 në një lokal pranë Gjykatës Civile, në Tiranë, ku 53-vjeçari Mexhit Picari vrau në mes të lokalit, ish-bashkëshortin 41-vjeçar të vajzës në proces divorci, Kudret Saliaj, pak minuta para seancës së 5-të. Kudret Saliaj u qëllua me 8 plumba, nga vjehrri, ndërsa në trup e kapën 5 plumba. I plagosur dhe fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, mbeti dhe avokati i viktimës, Adriatik Cama.

Ditën e ngjarjes, Mexhit Picari kishte qenë bashkë me vajzën Dhurata Saliaj në të njëjtin lokal me viktimën, disa karrige me tej. Mes Picarit dhe Saliajt nuk ndodhi asnjë përplasje verbale, por vrasësi thjesht iu afrua dhe e qëlloi me pistoletë. Pasi kreu vrasjen, Picari u largua në këmbë mes pallateve dhe më pas u arrestua te shtëpia e vajzës së tij në Yzberisht. Pas ngjarjes Picari e hodhi pistoletën TT në lumin Lana, ndërsa arma e krimit u gjet pas disa orë kërkimesh në tokë rrëzë lumit,. Në dëshminë e tij në polici, Mexhit Picari tha se e ka bërë vrasjen për dinjitetin e vajzës, duke thënë se e kishin akuzuar pa të drejtë për tradhti ndaj bashkëshortit dhe dhunë fizike e psikologjike ndaj tre fëmijëve të saj.

Ndërkaq, kujdestaria e tre fëmijëve të mitur u mor në nëntor të vitit 2022 nga vëllai i Kudret Saliajt. Vendimi u mor nga gjykata e Tiranës, e cila pranoi padinë e xhaxhait të fëmijëve, dy djemve dhe një vajze, të gjithë të mitur. Gjatë procesit pretendime për kujdestarinë ngriti edhe daja i fëmijëve Kelmend Picari, çka u kundërshtua nga familja Saliaj, por më pas ai u tërhoq dhe zyrtarisht nuk paraqiti padi në gjykatë.

Top Channel