Krimi në Tiranë/ Çifti po divorcohej, sot vendosej më kë do rrinte djali i madh. Viktima kishte kërkuar urdhër mbrojtje nga vjehrri më parë

04/06/2021 13:05

Të tjera detaje mësohen nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot në Tiranë ku mbeti i vrarë Kudret Salia.

Ai u qëllua nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari, pas konflikteve se viktima i keqtrajtonte vajzën. Çifti mësohet se ishin në prag divorci dhe pikërisht sot kishin seancën e pestë, ku pritej të lexohej akti se kush do t’i mbante fëmijët, ku gjykata do pyeste djalin e madh të çiftit se me cilin nga prindërit donte të rrinte.

Mësohet se në tavolinë me viktimën në momentin e krimit ishte edhe i biri dhe një punonjëse sociale.

Gazetarja Anila Hoxha e cila po ndjek hap pas hapi ngjarjen  në një lidhje direkte raportoi se krimi, ku Mexhit Picari vrau ish dhëndrin e tij Kudret Salia ndodhi vetëm 30 min para se viktima të futej në seancën e 5 gjyqësore të divorcit me vajzën e viktimës.

Në seancë do të lexohej  një akt i psikologes, duke qene se kishte një vendim se nënës i jepej e drejta t’i takonte fëmijët vetëm në fundjavë, sot pritej të pyetje  edhe fëmija 16 vjeç se me cilin nga prindërit donte te rrinte.

Gjykata kishte urdhëruar që tre fëmijët të rrinin me babain , por e ëma kundërshton. Gazetarja Anila Hoxha raporton se viktima më herët kishte dorëzuar një urdhër mbrojtje ku thoshte se i rrezikohej jeta dhe se ishte goditur me sende të forta nga ish vjehrri por kërkesa e tij ishte refuzuar.

Jo zyrtarisht thuhet se autori ka qenë një ish polic burgjesh dhe policia duhet ta pyesë se ku e ka gjetur armën e krimit.

Nga atentati ka mbetur i plagosur edhe ish prokurori dhe njëkohësisht avokati i viktimës Adrian Cama. Cama është jashtë rrezikut për jetën .

Viktima dhe Cama ndodheshin të ulur në lokalin “Trëndafili i Bardhë”.

Pesë plumba kanë goditur mbi trup viktimën.

Top Channel