Qeveria e re argjentinase zhvlerëson fort monedhën kombëtare

13/12/2023 13:37

Presidenti i ri argjentinas, Milei, kishte shpallur një program “terapie shoku” po të vinte në pushtet. Tani qeveria e tij zhvlerëson monedhën kombëtare, peson, me më shumë se 50%. Pason një program i rreptë kursimesh.

Qeveria e Presidentit të ri të Argjentinës, Javier Milei, zhvlerëson monedhën kombëtare, peson, me më shumë se 50%. Ministri i Ekonomisë, Luis Caputo, deklaroi në një fjalim televiziv se kursi zyrtar i këmbimit do të ishte 800 peso për dollar. Kohët e fundit, një dollar vlente 391 peso. Zhvlerësimi i monedhës kombëtare do t’i japë sektorit prodhues “stimuj të përshtatshëm” për të rritur prodhimin, tha ministri i Ekonomisë.

Nuk do të ketë porosi të reja ndërtimi nga shteti

Caputo njoftoi gjithashtu një reduktim të subvencioneve të energjisë dhe transportit. Shteti i mban çmimet artificialisht të ulëta në këta sektorë nëpërmjet subvencioneve, tha ministri. “Por këto subvencione nuk janë falas, ne i paguajmë me inflacion”. Caputo paralajmëroi: “Nëse vazhdojmë siç kemi qenë, në mënyrë të pashmangshme po shkojmë drejt hiperinflacionit”.

Ministri njoftoi gjithashtu se nuk do të jepen më kontrata të reja për ndërtime publike. Kontratat e dhëna tashmë dhe ekzekutimi i të cilave nuk ka filluar ende duhet të anulohen. Transfertat financiare drejt provincave do të reduktohen në minimum.

Në të ardhmen, projektet e infrastrukturës duhet të financohen nga sektori privat, tha Caputo. Në rastin e projekteve publike, paratë zakonisht gjithsesi përfundojnë “në xhepat e politikanëve”. Në parim, shteti argjentinas duhet të kapërcejë “varësinë” e tij për të shpenzuar më shumë para sesa fiton, tha Caputo.

Kërkesa radikale në fushatën elektorale

Të dielën, Milei u betua si presidenti i ri i Argjentinës. Populisti i djathtë i kishte fituar zgjedhjet me kërkesa radikale për një kthesë ekonomike dhe politike. Përballë arkës bosh të shtetit, “terapia e shokut” ishte e pashmangshme, tha populisti i djathtë gjatë fushatës zgjedhore.

Ai njoftoi se do të prezantojë dollarin amerikan si mjet zyrtar pagese, do të eleminojë Bankën Qendrore dhe shumë ministri dhe do të shkurtojë në mënyrë drastike shpenzimet sociale. Edhe pse që atëherë ai ka zbutur ndjeshëm tonin, ai gjithashtu njoftoi masa të dhimbshme kursimi në ditën e inaugurimit të tij.

Shumë njerëz jetojnë në varfëri

Argjentina po kalon një krizë të rëndë ekonomike. Norma e inflacionit kalon 140% dhe rreth 40% e popullsisë së këtij vendi, dikur të pasur, jeton nën kufirin e varfërisë. Ekonomia e dytë më e madhe në Amerikën e Jugut vuan nga një aparat shtetëror i fryrë, produktivitet i ulët industrial dhe një ekonomi e madhe joformale, që i privon shtetit shumë të ardhura nga taksat. Monedha kombëtare, peso, vazhdon të humbasë vlerën ndaj dollarit amerikan dhe mali i borxhit vazhdon të rritet./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA