Në kohën që shqiptarët po krijojnë gjithmonë e më tepër lidhje në vendet e origjinës së kokainës dhe po kryesojnë grupe kriminale për trafikun e saj në Europëm agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve po intensifikon bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke u fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm të narkotikëve.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi pati një takim mes ministrit të brendshëm dhe të Ngarkuarit me Punë të SHBA, David Wisner.
Falë informacioneve të DEA në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, dhe policinë e Kosovës u arrit arrestimi i të shumëkërkuarit Gëzim Çela, i cili prej 2014-ës ka qenë në kërkim për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.
Me ndihmën e DEA-s në Shqipëri janë finalizuar disa operacione të suksesshme ku ndër më kryesorët ka qenë sekuestrimi i 485 kilogramëve kokainë të tretur në pleh organik në Frakull të Fierit. Autoritetet gjurmuan lëvizjen e kokainës nga Kolumbia drejt portit të Pireut në Greqi, portin Bar në Malin e Zi derisa mbërriti me rrugë tokësore në Fier.
Në fillim të këtij viti Dea krijoi një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë, duke vënë në dispozicion një numër telefoni për të kontaktuar në Whatsapp dhe një adresë e-mail për këdo që ka informacion, në lidhje me rritjen, prodhimin, shpërndarjen e drogërave, krimin e organizuar apo pastrimin e parave të lidhura me drogën.
Top Channel