Video tronditëse/ Modelja merr flakë gjatë trajtimit alternativ për problemet me stomakun

06/12/2023 10:11

Një e re ka marrë flakë pas një trajtimi alternativ, për problemet me stomakun, në Tajlandë.

Sipas New York Post, gruaja, e cila punon si modele dhe me emrin artistik Game, kishte vizituar një klinikë në Bangkok për të provuar Phao Ya, një teknikë tradicionale për trajtimin e çrregullimeve të stomakut që përfshin djegien e bimëve mbi pacientin. Ky trajtim supozohet të ndihmojë në lehtësimin e problemeve të tretjes, dhimbjeve të periodave dhe çrregullimeve të tjera të stomakut.

Në video, Game fillimisht shihet e shtrirë me një përzierje bimore të përhapur mbi stomak. Disa çaste më vonë përvoja e saj kthehet në një makth pasi zjarri që një anëtar i stafit ndez mbi barishtet përhapet në rrobat e saj dhe e përfshiu atë në flakë. Pamjet e publikuara janë të frikshme, pasi tregojnë gruan duke bërtitur nga dhimbja teksa bie në dysheme, ndërsa punonjësit e klinikës, së bashku me të dashurin e saj që ndodhej në dhomë për mbështetje, përpiqen të furishëm të shuajnë flakët në trupin e saj.

Game, pësoi djegie të shkallës së tretë dhe qëndroi në shtrat për dy muaj, mori masa ligjore duke kërkuar dëmshpërblim nga klinika. E reja pohon se drejtuesit e klinikës refuzojnë të marrin përgjegjësinë për ngjarjen dhe se është detyruar ta përballojë e vetme, me ndihmën e sigurimit të saj, koston e lartë të trajtimeve që i duheshin dhe i nevojiten. Game tani shpreh shqetësimin për ndikimin që djegiet e mëdha do të kenë në punën e saj: “Për një javë më duhet të kthehem në punë, por duhet të vazhdoj trajtimet e mia në spital,” thotë ajo.

Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë të Tajlandës tha se kjo është hera e parë që është bërë një ankesë në lidhje me trajtimin tradicional Phao Ya dhe se një hetim është nisur për incidentin.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA